Ambasada e Francës në Kosovë ka publikuar vlerësimin e QUINT-i dhe Zyrës së Bashkimit Evropian lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për refuzimin e kërkesës së Patriarkut tё Kishёs Ortodokse Serbe, Porfirije, për të vizituar Patriarkanën e Pejës.
Sipas këtij njoftimit QUINT-i e BE-ja janë të shqetësuara për ndalimin e hyrjes në Kosovë të patriarkut serb Porferije.
“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë janë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar hyrjen në Kosovë Patriarkun Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopët e tij shoqërues për të marrë pjesë në fillimin ceremonial të Kuvendit të rregullt vjetor të Sinodit në Patriarkanën e Pejës”, thuhet në njoftim.
Në këtë reagim u bëhet thirrje dy palëve të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe mund të çojë në incidente.
Ndryshe, ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka refuzuar kërkesën e Patriarkut tё Kishёs Ortodokse Serbe, Porfirije, për të vizituar Patriarkanën e Pejës gjatë 14 majit.
MPJD ka thënë se nuk do të lejohen vizita të tilla derisa “Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes”.