Sveçla viziton policin e plagosur Januz Veselaj
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka vizituar pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Januz Veselaj, i plagosur gjatë intervenimit në një tentim-vjedhje në Kishën e Zllakuqanit në Klinë, më 9 maj.
Sveçla ka përgëzuar Veselajn për reagimin e shpejtë profesional dhe rezistencën përballë plaçkitësve që rrezikuan jetën e tij.
“Hetimet në identifikimin e kryesve të tentim vjedhjes dhe plagosjes së Januzit janë duke u zhvilluar me intensitet të lartë. Kryesit e këtij akti dhe kushdo që do të tentojë të kryejë akte të tilla, do të përballet me gjithë forcën e ligjit”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.
Gjatë kësaj vizite, ministri Sveçla ishte i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gazmend Hoxha dhe drejtori i Departamentit të Rendit Publik Arbnesh Ajvazi.
Ndryshe, pjesëtari i Policisë së Kosovës Januz Veselaj është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pas trajtimit mjekësor në QKUK ai është liruar për në shtëpi.