Escobar: Asociacioni dhe anëtarësimi i Kosovës në KiE janë të lidhura
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar deklaroi sot se Kosova dhe Serbia dështuan të përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa paralajmëroi se kjo mund t’i kushtojë Kosovës me dështim në përpjekjet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. “E di që ka shqetësime mes vendeve anëtare se Asociacioni dhe disa çështje që kanë të bëjnë me pakicën serbe, nuk janë përmbushur. Kjo është ajo që po nxit shqetësimin se Kosova mund të mos i ketë votat për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha Escobar, duke theksuar se qëndrimi i Uashingtonit është se Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e BE, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për këtë.

“Sa i përket integrimit evropian, mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë partnerët e saj evropianë dhe të punojë me partnerët evropianë, teksa ne forcojmë kandidaturën e Kosovës për të gjitha strukturat euroatlantike”, tha Escobar. Më herët të mërkurën, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se nuk do të pranojë kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ndodhë në Bruksel dhe jo në Strasburg. “Mendoj që janë shumë të lidhura. E para është se Këshilli i Evropës ka të bëjë me trajtimin e pakicave dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e pakicave dhe kjo përfshinë edhe Asociacionin”, tha Escobar, duke theksuar se ky përkushtim është pjesë e planit të Martti Ahtisaarit dhe marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. “E kemi të vështirë të kuptojmë përse Kosova nuk përmbushë detyrimet e saj ligjore dhe nuk ka dhënë shenja që është e gatshme ta bëjë këtë”, tha ai.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në përfundim të mandatit të tij, ai fajësoi Kosovën dhe Serbinë për mos përmbushjen e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit e vitit të kaluar me të cilën palët u pajtuan për zbatimin e të gjitha elementeve të zbatueshme. “Për Kosovën, kjo nënkupton Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe për Serbinë të mos bllokojë rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare. Fatkeqësisht, dyja palët kanë dështuar ta respektojnë këtë angazhim, por besoj që kur t’i kthehemi kësaj marrëveshje, që përfshin shumë nga marrëveshjet e Brukselit, rajoni do të jetë në pozitë më të mirë dhe dyja vendet do të kenë marrëdhënie të normalizuara, të parashikueshme dhe paqësore me njëra tjetrën”, tha  Escobar, duke theksuar se për këto çështje ka diskutuar edhe emisarin evropian për bisedimet Miroslav Lajçak, i cili ndodhet në Uashington, përfshirë çështjen e dinarit serb, për të cilën palët janë duke negociuar në Bruksel. Ai theksoi ndërkaq se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit do të nënkuptonte përfitime për të dyja palët. Kosova, tha ai, do të përfitonte njohje të reja, Partneritetin për Paqe, kandidaturën për (anëtarësim) në BE, dialog për partneritet dypalësh strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe një konferencë donatorësh. Për Serbinë, po ashtu si përfitim do të ishte organizimi i një konference donatorësh, zgjidhje më e shpejt për Kapitullin 35 të bisedimeve për anëtarësim në BE, si dhe investime shtesë për të dyja palët. Escobar tha ndërkaq në përmbyllje të bashkëbisedimit se shkrimet e fundjavës për shkarkimin e tij janë dezinformata. Më herët gjatë javës Departamentit amerikan i Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Escobar nuk është shkarkuar, por do të lëvizë për një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik, në kuadër të një rotacioni të planifikuar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024