BB mbështet përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë për të përmirësuar jetën e qytetarëve
Shëndetësi
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Bankës Botërore ka miratuar sot Projektin për Qasje Gjithëpërfshirëse për Forcimin e Sistemit Shëndetësor në Kosovë (KOMPAS), i cili synon të forcojë kapacitetet institucionale dhe qeverisjen për cilësinë e kujdesit në sistemin shëndetësor të Kosovës.

Në njoftim thuhet se projekti do të mbështesë forcimin e kapaciteteve institucionale, do të rrisë ofrimin e shërbimeve dhe financimin e shëndetësisë dhe do të përmirësojë sistemet e informacionit. Kjo do t'u mundësojë ofruesve të shërbimeve të regjistrojnë dhe ndajnë informacionin thelbësor shëndetësor, duke lejuar monitorimin dhe matjen në kohë reale të performancës së sistemit shëndetësor.

“Ndërhyrjet e projektit do të përqendrohen në përmirësimin e qeverisjes dhe mekanizmave institucionalë për cilësinë e kujdesit, monitorimin, ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe koordinatorëve të cilësisë për përdorimin e udhëzimeve klinike, mbështetjen për Inspektoratin Shëndetësor, investimin në infrastrukturën kritike dhe ngritjen e kapaciteteve për gatishmëri dhe reagim të sistemit të shëndetit publik, duke ofruar mbështetje teknike për ndërhyrjet financuese shëndetësore që do të ndihmojnë në zhvillimin e kapaciteteve strategjike për blerje të shërbimeve me cilësi të lartë. Projekti do të mbështesë gjithashtu zhvillimin e një sistemi të integruar të informacionit shëndetësor (IHIS) për të përmirësuar cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve”, thuhet në njoftim.

“Ka pasur progres në zhvillimin e kornizës ligjore dhe kushteve të tjera për forcimin e sistemit shëndetësor të Kosovës, por për të përmirësuar cilësinë e përgjithshme të kujdesit për popullatën, themeli i sistemit shëndetësor të Kosovës duhet të forcohet më tej”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas BB-së mbështetja financiare e miratuar nga Bordi për këtë projekt është 18.6 milionë euro (ekuivalente me 20 milionë dollarë), një kredi me kushte koncesionare nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA), pjesë e Bankës Botërore. Periudha e shlyerjes së kredisë për këtë projekt është 25 vjet, e cila përfshin një grejs-periudhë 5-vjeçare. Pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv, Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore do të nënshkruajnë një marrëveshje për financimin e projektit, e cila më pas duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës në mënyrë që fondet e projektit të vihen në dispozicion për disbursim për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Në fund thuhet se Ministria e Shëndetësisë e Kosovës do të jetë Agjencia Zbatuese dhe do të jetë përgjegjëse për zbatimin e përgjithshëm të projektit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024