Inkurajuese: Gjuha shqipe flitet nga 3.4 për qind e popullatës në Zvicër
Lexohet për: 5 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Përdorimi i gjuhës shqipe në Zvicër nuk duhet të shihet vetëm si një aspekt i diversitetit gjuhësor, por si një angazhim i rëndësishëm për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në këtë vend.

Sipas një një studim të ri të Entit Federal të Statistikave thuhet se për herë të parë në më shumë se dhjetë vjet, më shumë njerëz në Zvicër flasin shqip sesa portugalisht.

Nëpërmjet një shkrimi. Sevdail Tahiri, drejtor i platformës albinfo.ch, ka thënë se në mënyrë eksplicite mbi 292,700 njerëz në popullsinë rezidente (të përhershme) shqipen e kanë si gjuhë të parë. Në përqindje, shqipja dhe portugalishtja dalin pothuaj njësoj: të dy gjuhët fliten nga 3.4 për qind të popullatës.

Shkrimi i plotë:

Në kohën kur mësimi i shqipes po zhvillohet si proces me shumë probleme në Zvicër, ndërsa numri i nxënësve shqiptarë vazhdimisht po zvogëlohet, inkurajues është rezultati i një studim të ri të Entit Federal të Statistikave që ka treguar se për herë të parë në më shumë se dhjetë vjet, më shumë njerëz në Zvicër flasin shqip sesa portugalisht.

Janë në mënyrë eksplicite mbi 292,700 njerëz në popullsinë rezidente (të përhershme) që shqipen e kanë si gjuhë të parë. Në përqindje, shqipja dhe portugalishtja dalin pothuaj njësoj: të dy gjuhët fliten nga 3.4 për qind të popullatës.

Rezultatet e këtij studimi janë inkurajuese edhe për mësimin plotësues të shqipes. Siç dihet, bartësit e këtij mësimi, fajin për dobësitë evidente e kanë adresuar më shumë te prindërit që nuk po i dërgojnë fëmijët të mësojnë shqipen dhe te institucionet e vendeve të origjinës, që nuk kanë bërë sa duhet për ta vënë në binarë institucional shkollën shqipe në diasporë.

Sido që të jetë, ky fakt statistikor do të ndryshojë qasjen edhe të vendësve dhe mbase nuk do të përsëriten rastet kur ndalohen fëmijë të flasin shqip me miqtë e tyre në klasa, korridore dhe në këndet e lojërave, duke i detyruar të komunikojnë vetëm  gjermanisht.

Qëllimi i këtij ndalimi, sipas arsyetimit të atyre që e kanë bërë, ishte që duke folur vetëm gjermanishten, “sa më shumë fëmijë të kenë shanset më të mira të mundshme në shkollë dhe më vonë në tregun e punës”, por ekspertët tregojnë të kundërtën.

“Nëse s’ flet shqip në Zvicër, është problem”, thuhet me gjysmë shakaje, madje shumë institucione proklamojnë se ofrojnë informata për klientët e tyre edhe në gjuhën shqipe.

Këtë tendencë e kishte parë dy vjet më parë gazeta më e madhe zvicerane 20min. e cila kishte lansuar platformën e lajmeve që mund të lexohet online edhe në shqip.

Në këtë kontekst, përdorimi i gjuhës shqipe në Zvicër nuk duhet të shihet vetëm si një aspekt i diversitetit gjuhësor, por si një angazhim i rëndësishëm për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në këtë vend.

Zvicra është një vend i diversitetit gjuhësor dhe i shumë kulturave. Në këtë ambient multikulturor, çdo gjuhë dhe kulturë meriton të respektohet dhe të promovohet në mënyrë të barabartë. Ndërkaq, gjuha shqipe, si pjesë e këtij mozaiku të pasur kulturor, ka nevojë për një mbështetje të veçantë dhe nxitje për t’u zhvilluar dhe përhapur ndoshta edhe në suaza institucionale.

Në Zvicër, komuniteti shqiptar është një prej komuniteteve më të rëndësishme dhe më të vjetra. Pavarësisht faktit se shqiptarët janë të integruar mirë në shoqërinë zvicerane, duhet të theksohet se ruajtja e gjuhës së tyre amtare është thelbësore për të ruajtur identitetin e tyre kulturor dhe për të siguruar trashëgiminë e tyre për brezat e ardhshëm.

Nxitja e përdorimit të gjuhës shqipe në Zvicër duhet të jetë një përkushtim i përbashkët i qeverisë zvicerane, institucioneve arsimore dhe komunitetit shqiptar. Krijimi dhe promovimi i programeve të gjuhës shqipe në shkollat e Zvicrës, si dhe ofrimi i mundësive për t’u përfshirë në aktivitete kulturore dhe arsimore në gjuhën shqipe, janë hapa thelbësorë në këtë drejtim.

Gjithashtu, mediat shqiptare në Zvicër luajnë një rol të rëndësishëm në nxitjen e përdorimit të gjuhës shqipe. Këtë mision e ka përmbushur për më shumë se një dekadë platforma mediale albinfo.ch. Me gjithë sfidat si media e huaj, ne kemi vazhduar të ofrojmë informata të sakta dhe të shpejta në gjuhën shqipe, për të ngritur vetëdijen për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe.

Edhe ky numër i magazinës sonë ka në fokus nxitjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Zvicër, që është një hap thelbësor drejt mbrojtjes së identitetit kulturor të komunitetit shqiptar. Duke investuar në këtë drejtim, Zvicra, por edhe bartësit e mësimit të gjuhës jo vetëm që do të përforcojnë diversitetin kulturor, por do të kontribuojnë edhe në ruajtjen e trashëgimisë së çmuar kulturore të shqiptarëve në vend.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024