Dështon atentati ndaj Marko Jabllanoviq, Radoica Radomiroviq jep detajet
Lajme
Lexohet për: 4 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Radoica Radomiroviq, zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim, ka akuzuar Beogradin zyrtar dhe kriminelin Milan Radoiçiq, se qëndrojnë bashkë me disa të tjerë prapa tentim-vrasjes së Marko Jabllanoviqi, anëtar i partisë Za Sloboda Pravdu i Opstanak (Për liri, drejtësi dhe mbijetesë) sot në Soçanicë të Leposaviqit. Në një postim në Facebook, Radomiroviq ka thënë se Jabllanoviq, vëllai i Aleksandar Jabllanoviq, ka shpëtuar pasi sulmuesit i ka dështuar arma automatike e tipit “Scorpion” me të cilën ishte planifikuar të kryhej vrasja. “Nuk ka dyshim se pas atentatit qëndron regjimi i Beogradit, si dhe Radoiçiq dhe “kauboj” vendas Slavko Simiq dhe Zoran Todiq...”, ka thënë ai.

Radomiroviq ka dhënë detaje mbi ngjarjet e zhvilluara para zgjedhjeve për kryetar të Leposaviqit në prill 2023, ku ai dhe Marko Jabllanoviq kishin mbështetur politikanin serb Aleksandar Jabllanoviq për të sjellë ndryshimet e nevojshme në Leposaviq. “Pasi Aleksandar Jabllanoviq ra dakord në Beograd me Aleksandar Vulin, Vuçiq dhe anëtarin e BIA-s, Dimiq, që për disa para dhe privilegje të tërhiqej si kandidat për kryetar komune të Leposaviqit, unë dhe Marko vazhduam të luftojmë për popullin tonë që të rifitojë dinjitetin e nevojshëm dhe të merrnin jetën në duart e tyre”, shkruan Radomiroviq.

Për më tepër, Radomiroviq thotë se në takimin e fundit me Aleksandar Jabllanoviq ata ishin paralajmëruar se ndodhen në rrezik për t’u vrarë, me arsyetimin se po punojnë kundër interesave të regjimit të Beogradit. Radomiroviq me këtë rast i bën thirrje Aleksandar Jabllanoviq të dalë publikisht dhe të tregojë personin me të cilin ka zhvilluar një bisedë të tillë. “Po ashtu, nga ai moment Aleksandar Jabllanoviq, i cili shiti të gjithë mbështetësit tanë për para dhe me ato bleu një xhip dhe makinë, për mua është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në tentim-vrasjen e Marko Jabllanoviq, dhe duke pasur parasysh komunikimin e përditshëm të Aleksandar me patriotin e rremë Radoiçiq dhe narkomanin Vulin, pohimet e mia janë të bazuara”, ka thënë ai.

Radomiroviq ka akuzuar Aleksandar Jabllanoviq se kishte tentuar ta korruptojë atë dhe Marko Jabllanoviq duke iu ofruar lokale, apartamente dhe para, por pas kundërshtimit për një gjë të tillë ata morën paralajmërimin nga Aleksandar Jabllanoviq “se mund t’i vrisnin”. “Po ashtu, më duhet të informoj opinionin se nga ai moment Aleksandar Jabllanoviq nuk flet as me fëmijët e Marko, të cilët nuk kanë asnjë faj. Ftojmë të gjithë qytetarët që t'iu kundërvihen kaubojve vendas dhe të mos kenë frikë nga kërcënimet e shantazhet, duke pasur parasysh se deri te liria arrihet me trimëri dhe jo në mënyrë qyqare. Ne nuk do të dorëzohemi dhe të tërhiqemi pavarësisht kërcënimeve të përditshme dhe çmimit që paguajmë si personalisht ashtu edhe për familjet tona. Dashuria për popullin tonë dhe dëshira për liri ishte dhe do të mbetet prioritet”, përfundon Radomiroviq.

Aleksandar Jabllanoviq (44) në maj 2017 themeloi Partinë e Serbëve të Kosovës (PKK). Ai tërhoqi kandidaturën e tij për kryetar të Leposaviqit në zgjedhjet komunale të vitit të kaluar. Paraprakisht ka qenë ministër për Komunitet dhe Kthim i Kosovës nga data  dhjetor deri më 3 shkurt 2015, kur u shkarkua nga kryeministri Isa Mustafa, pasi i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të atij qyteti më 6 janar 2015. Deklarimet e Jabllanoviq shkaktuan protesta në disa qytete të Kosovës, të cilat kulmuan me ato në Prishtinë, që lanë pas vetes dhjetëra të lënduar. Ndonëse, ministri serb kërkoi falje për deklaratën e tij, opozita dhe organizatat që mbështetën protestat thanë se ajo nuk mjafton.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024