Ferizaj, ndalohen 4 shtetas nga Maqedonia e Veriut
Siguri
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Policia Rajonale e Ferizajt ka ndaluar katër persona në Ferizaj, tre të kërkuar për rastin "Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje" dhe një person i kërkuar me "Urdhërarrest ndërkombëtar." Më datën 17 tetor 2023, rreth orës 00:30, Policia Rajonale e Ferizajt kishte pranuar një informatë se në një lokal kishte të shtëna me armë të zjarrit. Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, të cilët kanë mësuar se pas një zënke një person me armë të zjarrit kishte shtënë në drejtim të një personi tjetër, ndërsa ishin përfshirë edhe në rrahje dhe tre të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur.

Hetuesit dhe krim-teknikët rajonalë nën autorizim të prokurorit të shtetit pasi kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes kanë nisur hetimet dhe kërkimin e personave të dyshuar. Më datën 3 maj 2024, rreth orës 23:43, ekipe të policisë së Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) dhe të Njësisë së Narkotikëve në rrugën " Astrit Bytyqi" në Ferizaj kanë ndaluar një veturë “Audi” me targa të Maqedonisë së Veriut, ku gjatë kontrollit janë gjetur tri armë zjarri (pistoleta) dhe sasi e municionit.

Me këtë rast katër persona janë shoqëruar në stacionin e policisë, konkretisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve me dyshimin si persona të kërkuar, të përfshirë në raste kriminale, ndërsa tre nga ta kanë prezantuar dokumente identifikimi të rrejshme. Gjatë verifikimit të personave ka rezultuar se tre personat ishin të dyshuar dhe të kërkuar për rastin në Ferizaj të datës 17.10.2023: A.K. (45), shtetas i Maqedonisë së Veriut, i dyshuar për " Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje,  S.R. (40), shtetas i Maqedonisë së Veriut, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje dhe F.T. (40), shtetas i Maqedonisë së Veriut, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje. Ndërsa, personi B.K. (42), shtetas i Maqedonisë së Veriut, ka rezultuar i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, i lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Të dyshuarit pas intervistimit nga hetuesit rajonal, me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore dhe procedura tjera për ekstradimin e personit të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024