Funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor, prag i patejkalueshëm qe një dekadë
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Ani pse ka kaluar një dekadë prej kur kishte filluar provimi i zbatimit të Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh) në Kosovë, ende nuk është funksionalizuar. Mungesa e SISh-it po konsiderohet se është shkaktar i shumë vështirësive për pacientët, personelin shëndetësor dhe po pengon në ecjen përpara të procesit për sigurimet shëndetësore. Pacientët duhet të bartin me vete çdo dokument mjekësor në vizitat shëndetësore, të cilat tregojnë për gjendjen e tyre shëndetësore.

Sistemi Informativ Shëndetësor bën gjenerimin, përpilimin, analizimin, komunikimin dhe përdorimin e të dhënave për sektorin publik dhe privat shëndetësor.

Njohësi i politikave shëndetësore dhe njëkohësisht zëvendësdrejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Bujar Gashi, vlerëson se ky sistem është jetik për një shëndetësi kualitative.

Derisa për kryetarin e Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, SISh-i është “thembra e Akilit” në shëndetësi.

Ndërkaq, dështimin për funksionalizmin e SISh-it, opozita ia atribuon ministrit aktual të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Zëvendësdrejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi në thotë për KosovaPress, thotë se mungesa e këtij sistemi po i vështirëson punën personelit shëndetësor dhe pacientëve, për çka potencon se nuk po pengon edhe në nxjerrjen e statistikave e hulumtimeve.

Po ashtu, edhe kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra thekson se mos funksionalizimi i SISh-it, po bëhet me qëllim, ngaqë sipas tij “vë në dritë shumë gjëra”.

Kodra për KosovaPress, thotë se mungesa e këtij sistemi sjell mjegull në shëndetësi, që sipas tij, po shfrytëzohet mjaftë mirë nga grupet mafioze.

Derisa, për të përmirësuar shërbimin shëndetësor ndaj pacientëve, në vitin 2011, Ministria e Shëndetësisë (MSH), ka provuar fillimin e zbatimit të këtij sistemi në tri faza.

Përfshimi i pilotimit dhe implementimit të sistemit në 30 për qind të territorit të vendit dhe vlerësimin e pilotimit në fund të vitit 2014, planifikohej të bëhej në dy fazat e para.

Ndërkaq, faza e tretë përfshinte implementimin e sistemit në gjithë territorin e vendit.  

Por, pavarësisht kësaj, ende nuk është arritur të bëhet zgjidhje.

Për këtë ka folur, edhe anëtar i Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Bekim Haxhiu. Ai për KosovaPress, thotë se mosfunksionalizimi i SISh-it, është një dështim total i qeverisë.

Sipas tij, me këtë dinamikë, nuk pritet që të ketë sigurime shëndetësore në Kosovë deri në vitin 2030.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thotë se është hartuar plani strategjik për SISh-in, i cili është dërguar për miratim në Qeverinë e Kosovës.

MSh thekson se pasi të bëhet miratimi i këtij plani, do të vazhdohet me projektet që janë të planifikuara në strategji.

“Ju njoftojmë se Ministria e Shëndetësisë ka bërë Studimin e Fizibilitetit për Sistemin e Informimit Shëndetësor dhe konform Raportit të Fizibilitetit në vitin 2023 është hartuar Plani Strategjik për SISH,  i cili është dërguar për miratim në Qeverinë e Kosovës. Pasi që të bëhet miratimi i Planit Strategjik të SISh-it, do të vazhdohet me projektet që janë të planifikuara në strategji”, thuhet në përgjigjen e tyre. /Z.Zeneli/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024