Beaux Arts: Ish-vila e diktatorit Hoxha shndërrohet në rezidencë artistësh
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Ish-vila e diktatorit Enver Hoxha do të shndërrohet në një rezidencë artistësh, shkruan Florelle Guillaume në një artikull të botuar në revistën franceze “Beaux Arts”.

Ky është projekti i ri i fondacionit “Art Explora”, i cili nuk pushon së habituri me nismat e tij origjinale në favor të krijimit dhe demokratizimit kulturor.

“Vila 31”, e vendosur në zemër të kryeqytetit të Tiranës, është shtëpia e dikurshme e ish-kryeministrit shqiptar Enver Hoxha, stalinist i egër që sundoi vendin për katër dekada të shënuara nga shtypja e përgjakshme dhe izolimi, por edhe nga dhuna e madhe ndaj artistëve.

“Që nga vdekja e diktatorit në vitin 1985, ky vend historik kishte mbetur një vilë fantazmë e ngrirë në kohë, me dekorin e saj të stilit hollivudian të viteve 1970”, sipas drejtorit të përgjithshëm të “Art Explora”, Bruno Julliard.

Tunelet e fshehura, dritat e zbehta neoni, mobiljet prej kadifeje, pishina e pashfrytëzuar dhe bunkerët e fshehtë kontribuojnë në atmosferën e çuditshme dhe të modës së vjetër të kësaj vile, sa të frikshme aq edhe të admiruar nga banorët.

Në kërkim të një “fati të ri” prej disa vitesh, kryeministri aktual Edi Rama, vetë artist, i shkolluar në Ecole des Beaux-Arts në Paris në vitet 1980, nuk kishte se si të mos e vlerësonte projektin kulturor të Frédéric Jousset, atë të shndërrimit të një meke të intolerancës në një parajsë krijimi për artistë nga e gjithë bota. Një përbuzje e bukur ndaj historisë!

Rinovimi i “Vilës 31” do t’i besohet kompanisë arkitekturore NeM, e cila realizoi transformimin spektakolar të “Bursës së Tregtisë” në Paris.

“Qëllim është që as të mos bëhet një muze i diktaturës dhe as të shkelet trashëgimia e saj historike”, tha Bruno Julliard.

Pjesërisht e hapur vjeshtën e ardhshme, rezidenca prej 4000 metrash katrorë me tetë studio rezidenciale do të mirëpresë që nga dhjetori një valë të parë artistësh dhe krijuesish ndërkombëtarë dhe nga Ballkani.

“Objektivi është zhvillimi i një programi afatgjatë të kërkimit dhe eksperimentimit artistik, i hapur ndaj botës, por edhe duke nxjerrë në pah dinamizmin e jashtëzakonshëm artistik të Ballkanit”, tha Blanche de Lestrange, drejtoresha artistike e “Art Explora”, shkruan ATSh, transmeton KosovaPress.

“Vila 31” do të jetë e hapur për publikun përmes seminareve, shfaqjeve të filmave dhe festivaleve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024