Macron nuk përjashton dërgimin e trupave në Ukrainë
Lexohet për: 3 min.
Macron
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka thënë se parandalimi i fitores së Rusisë në luftë është një qëllim strategjik i sigurisë, dhe në rrethana të caktuara, ai nuk përjashton dërgimin e trupave tokësore evropiane në Ukrainë. Lideri francez e tha këtë në një intervistë për The Economist, transmeton Ukrinform. "Nëse rusët do depërtonin vijën e parë të frontit, nëse do të kishte një kërkesë nga Ukraina - gjë që nuk është rasti sot - ne do t'i bënim vetes në mënyrë legjitime pyetjen. Prandaj, mendoj se ta përjashtosh këtë apriori do të thotë të mos mësosh mësimet e dy viteve të fundit”, tha Macron. “Sepse nëse Rusia vendos të shkojë më tej, ne të gjithë do të duhet t’ia bëjmë këtë pyetje vetes”, shtoi ai.

Lidhur me aftësitë e Francës, presidenti vuri në dukje se disa mijëra trupa franceze janë vendosur së fundmi në Sahel për të luftuar terrorizmin dhe kjo është bërë "me kërkesë të shteteve sovrane". Sipas Macron, çdo zhvillim nuk mund të përjashtohet, sepse “ne përballemi me dikë që nuk përjashton asgjë [nënkupton Vladimir Putinin]”. "Ne kemi qenë padyshim shumë të pavendosur në formulimin e kufijve të veprimeve tona përballë dikujt që nuk i ka më dhe që është agresori. Në samitin e NATO-s në verën e vitit 2022, ne të gjithë përjashtuam furnizimin me tanke, raketa me rreze të gjatë dhe avionë. Tani jemi të gjithë në proces (të këtyre dërgesave), kështu që do të ishte gabim të përjashtonim pjesën tjetër. Por mbi të gjitha do të ishte e gabuar për sa i përket besimit dhe frenimit të rusëve”, tha Macron.

Presidenti francez theksoi se nëse Rusia fiton luftën, "nuk do të ketë më siguri në Evropë". "Kush mund të thotë se Rusia do të ndalet këtu? Dhe çfarë besueshmërie do të kemi ne si evropianë që kemi shpenzuar miliarda, që kemi thënë se mbijetesa e kontinentit është në rrezik dhe që nuk i kanë dhënë vetes mjetet për të ndaluar Rusinë?" tha Macron. Siç raporton Ukrinform, presidenti Macron synon të thellojë lidhjet personale me presidentin kinez Xi Jinping gjatë vizitës së tij dyditore në Francë dhe do t'i kërkojë udhëheqësit kinez që t'i kërkojë presidentit rus Vladimir Putin t'i jep fund luftës në Ukrainë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024