Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se për heqjen e masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës.
Stano më 2 maj tha se mbajtja e votimeve në komunat në veri të Kosovës më 21 prill, ishte një prej disa kushteve që BE-ja vendosi për heqjen e masave ndaj Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët gjatë së enjtes tha se Qeveria që ai udhëheq ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese.
“Kur i kemi vendosur masat kemi thënë se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen. Por, për këtë vendin vendet anëtare të BE-së, e jo Qeveria e Kosovës. Masat nuk ishin vendosur vetëm për një arsye, por për disa. Diskutimet për këtë janë në vazhdim e sipër në BE dhe vendet anëtare do të vendosin se a do të hiqen masat dhe kur, a do të hiqen të gjitha apo pjesërisht”, tha Stano.
“Ka masa që janë vendosur ndaj Kosovës për arsye specifike. Kur shtetet anëtare vendosin ta bëjnë këtë dhe arsyet nuk ekzistojnë më, ata do të vendosin të heqin masat përsëri, gradualisht ose tërësisht. Por, nuk lidhet vetëm me një incident apo një ngjarje”, tha ai.
Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit)./REL/