Yildirim Energy Europe Kosova, investon 43 milion euro në Projektin e Fermës Solare
Lajme
Lexohet për: 6 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Në vlerë prej mbi 43 milion euro është duke investuar Yildirim Energy Europe Kosova, kompani në kuadër të konglomeratit ndërkombëtar YILDIRIM Group në Kosovë. Ky investim që fokus ka energjinë e ripërtrishme do të ndërtohet gjatë këtij viti e që do të rezultojë edhe me vende të reja të punës.

Ky investim me miliona euro që po bëhet në Komunën e Drenasit nga kjo kompani po ashtu do të përmirësojë edhe ekonominë e Kosovës.

Menaxheri gjeneral i Ferronikelit, Cemil Acar gjatë prezantimit të projektit ambicioz për Fermën Solare në Drenas ka thënë se pas shumë mundimeve, punëve dhe procedurave, janë në fazën e fundit për t’ju afruar ndërtimit të impiantit të paneleve diellore.

Ndërsa, shpreson se në fillim të vitit të ardhshëm të vënë në zbatim këtë projekt dhe të mos ketë më ndërprerje të prodhimit.

“Para dy viteve kur blemë Ferronikelin filluam investimet menjëherë atje dhe bëmë maksimumin për ta kthyer atë në një biznes të qëndrueshëm dhe prodhues pavarësisht kushteve të vështira të tregut, pavarësisht kolapsit të çmimit të tregut në nikel, ne nuk ndërpremë dhe vazhduam punën vazhdimisht. Prandaj, kemi shumë projekte në vazhdim që do të na ndihmojnë të realizojmë objektivat tona. Sot kemi një projekt tepër të rëndësishëm që do të na ndihmojë për ta ulur koston dhe për të pas një prodhim të vazhdueshëm siç është projekti i paneleve diellore. Pas shumë mundimeve, punëve dhe procedurave jemi në fazën e fundit për të ju afruar ndërtimit të impiantit të paneleve diellore. Shpresojmë se në fillim të vitit të ardhshëm të vëmë në zbatim këtë projekt dhe të mos kemi më ndërprerje të prodhimit", tha Acar.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka vlerësuar se më këtë projekt Kosovës i është hapur një rrugë e madhe e suksesit.

Ai derisa ka shprehur gatishmërinë e komunës për bashkëpunim në këtë projekt, ka shtuar se ky investim i madh është po ashtu dëshmi e klimës pozitive në të bërit biznes.

"Sot në Komunën e Drenasit dhe Kosovën po hapet një rrugë e re me perspektivë të madhe që po e bënë kompaninë prestigjioze Yildirim, e cila operon në nëntë fusha në industri, pesë kontinente dhe 57 shtete. Sot ky sukses gëzon çdo qytetar të Drenasit dhe të Kosovës me imazh prosperues... Ky investim i madh për energjinë e ripërtrishme i kompanisë Yildirim është dëshmi e klimës pozitive për biznes dhe në bashkëpunimin tonë të shkëlqyer", tha Lladrovci.

Ndërsa, zëvendës Ministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka thënë se me projekte të tilla Kosova është në rrugë të mbarë.

“Me projekte si ky i sotmi jemi në rrugë të mbarë, pra, një bashkëpunim i gjithanshëm me përfshirje të sektorit privat për tranzicionin energjetik të Republikës së Kosovës... Ne si ministri mbulojmë edhe sektorin e energjisë edhe minierat ashtu siç mbulon edhe kompania e Ferronikelit. Për sektorin e energjisë muajt e fundit ka qenë në përgjithësi lajm i mirë në Kosovë. Po zbatojmë me përpikëri strategjinë ambicioze të energjisë dhe sektori privat po jep kontributin e paçmueshëm... Gëzohemi që sot kapaciteteve të Republikës së Kosovës do t'i shtohen edhe rreth 57 megavat të energjisë diellore përmes një projekti të sektorit privat që po realizoni në Drenas", tha Mjeku.

Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunc Angili tha se me këtë investim do të krijohen edhe vende të punës.

"Blerja e Ferronikelit në Yildirim Group është investim shumë i rëndësishëm dhe strategjik nga Turqia. Është i rëndësishëm sepse krijon kushte pune për 800 punonjës direkt dhe mbi 1 mijë indirekt, prandaj kjo kompani dhe fabrikë krijon vende pune për njerëzit e Kosovës. Është e rëndësishme sepse kjo fabrikë është e orientuar tek eksporti dhe ndihmon për të zbutur deficitin tregtar... Ka një lidhje të fortë mes popullit të Kosovës dhe popullit turk. Nuk jemi vetëm miq, jemi vëllezër dhe kjo lidhje kaq e fuqishme mund të vijojë edhe në të ardhmen nëpërmjet këtyre investimeve strategjike", tha Angili.

Se ky investim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekonominë e vendit e tha edhe ministri për zhvillimin rajonal, Fikrim Damka. Ai tha se ky investim me qindra miliona euro është në top listat e investimeve në vend.

"Ferronikeli i cili është një vlerë ndër më të mëdhatë në Kosovë, me këtë investim të energjisë solare do të shtohet akoma më shumë vlerë. Padyshim Ferronikeli i cili është burim i kontributit dhe jetës së mijëra familjeve do të kontribuojë edhe në mirëqenien e Republikës së Kosovës në aspektin mikro dhe makro... Ky investim më qindra miliona euro do të zë vendin në top listat e investimeve", tha ai.

Në anën tjetër, presidenti & CEO i Yildirim Holding, Robert Yuksel ka thënë se po iniciojnë projektin që do të shkojë 110 megavat në total për prodhimin e energjisë së ripërtrishme.

Ai tha se përmes këtyre investimeve po ndihmojnë edhe zhvillimin e Kosovës. Ndërsa ka shtuar se ky produkt që del nga ky vend do të jetë i një rëndësie të veçantë.

"Sot jemi këtu për të filluar me fazën e dytë që është energjia e rinovueshme që do të suportojë këtë biznes. Ndoshta kemi hyrë pak vonë, por nuk është shumë vonë me investimet tona dhe duam të kapim ritmin e zhvillimit të ekonomisë së vendit dhe të bëjmë investime kolosale... Sot po iniciojmë atë projektin që do të shkojë 110 megavat në total për prodhimin e energjisë së rinovueshme. Qëllimi Yildirim është ai që ndërron rregullat e lojës, dhe ne jo vetëm do të prodhojmë Ferronikel, por do të prodhojmë me energji të rinovueshme që ky produkt që del nga Kosova të jetë i një rëndësie të veçantë, të ketë një çmim premium më të lartë, të jetë produkt i kërkueshëm në industrinë e ferro lidhjeve në Evropë dhe Amerikë", tha Yuksel.

Ai po ashtu tha se pas kësaj ceremonie do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për të diskutuar më tepër për investimet që mund të realizojnë në Kosovë, për zhvillimin e ekonomisë në vend./E.Krasniqi/

A duhet të testohen mësimdhënësit?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
186
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024