“Kur vjen një mysafir i pa ftuar, mendoj mos u kthy”, familjarët zhgënjehen me mos-zbatimin e deklaratës për të pagjeturit
Lajme
Lexohet për: 4 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

“Çdo herë kur të vjen një mysafir i pa ftuar, ti mendon mos u kthy....Shpresoj ende që ai mund të kthehet një ditë”,thotë Lutfije Ademi, e cila tash e 25 vjet kërkon vëllain e saj. Tërë këto vjet ajo shoqërohet nga fotografia e tij, si nga të paktat kujtime, ndërkohë që kështu heq mallin për Adem Ademin. Pranvera i kujton takimin, por edhe ditën kur për herë të fundit familjarët patën informacione për vendndodhjen e tij. Që nga 19 prilli, gruaja nga Mitrovica jeton me shpresën se një ditë të paktën do të gjenden eshtrat e tij. Lutfija thotë për KosovaPress se është e pakënaqur me punën e institucioneve, derisa përmend edhe deklaratën për të

zhdukurit, e cila mbeti vetëm në letër.

Sa herë flet për vëllain e saj, atëkohë rreth të 50-tave, e ka të pamundur që të mos lotojë. Takimi i fundit me mjekun i cili punonte në spitalin e Mitrovicës, ishte pak ditë para se të zhdukej. Ai u angazhua për mjekimin e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Serbinë jo, por Lutfija vazhdon të ketë shpresa tek ndërkombëtarët që një ditë do të ofrojnë informacione se ku ndodhet vëllai i saj. Ajo shton se për Kosovën është shumë edhe nëse nuk dihet fati i një personi.

Përkundër pritjes së gjatë, në çdo thirrje shpreson se Ademi do të trokasë në derën e saj. Një vit më parë, Kosova dhe Serbia u pajtuan për deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur. Deklarata e firmosur në Bruksel parasheh qasje të plotë në dokumente me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur. Megjithatë, familjarët thonë se kjo gjë ka mbetur vetëm në letër.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë kërkesa për qasje në arkivat e brigadës 37 të ish-ushtrisë jugosllave, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga pala serbe.

“Siç parashihej qysh në Aneksin Zbatues të Marrëveshjes drejt Normalizimit (pra e njohur si Marrëveshja e Ohrit) e vetmja çështje e natyrës urgjente adresohej çështja e personave të zhdukur në kuptim të hyrjes në fuqi të 'Deklaratës për Persona të Zhdukur'. Siç edhe ndodhi me datë 2 maj 2023. Megjithatë edhe kjo Deklaratë apo respektimi i zotimeve që dalin nga kjo Deklaratë, ashtu si marrëveshjet paraprake,  përfshirë edhe Deklaratën për Persona të Zhdukur nga Samiti Londrës (Korrik 2018) vazhdojnë të sfidohen në kuptim të implementimit për shkak të qasjes politizuese të Serbisë kundrejt edhe proceseve siç është procesi i ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur. Politizimi i këtij procesi siç e kemi theksuar edhe më parë është turpi i këtij shekulli, por fatkeqësisht pushteti aktual në Serbi dëshiron t'i ngjajë atij të kaluarit, duke mbajtur peng proceset për zbardhjen e fatit të të zhdukurve”, thotë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar.

Edhe kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, thotë se një vit më parë kanë shpresuar se me nënshkrimin e kësaj deklarate do të lëviz diçka në këtë drejtim.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj konsideron se mbajtja e fshehtë e fatit të të pagjeturve është vazhdim i krimeve të luftës.

Lutfije Ademi, e cila deri në frymën e fundit pret ndonjë informatë për vëllain e saj, kërkon drejtësi dhe trysni ndaj ndërkombëtareve. Ajo u bën thirrje institucioneve për përkushtim ndaj çdo familje, e cila tash e 25 vjet nuk di asgjë për më të dashurit e tyre. /Sh.Pajaziti/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024