Senati amerikan aprovon projektligjin për ndalimin ose shitjen e TikTok
Bota
Lexohet për: 2 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Senati amerikan e ka kaluar të martën vonë një projektligj i cili do ta ndalojë TikTok-un në SHBA nëse pronari i saj – firma kineze ByteDance – nuk e shet  brenda një viti. I shtyrë nga shqetësimet e mëdha në mesin e ligjvënësve amerikanë se Kina mund të ketë qasje në të dhënat e amerikanëve, apo t’i vëzhgojë ata përmes këtij aplikacioni, projektligji u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së të shtunën dhe presidenti amerikan, Joe Biden, tha se do ta nënshkruajë atë të mërkurën, për ta bërë ligj. “Për shumë vite ne e kemi lejuar partinë komuniste të Kinës të ketë kontroll mbi njërin prej aplikacioneve më të njohura në Amerikë”, tha republikani Marco Rubio nga Komiteti i Inteligjencës. “Ligji i ri do t’i kërkojë pronarit kinez ta shesë aplikacionin. Ky është vendim i mirë për Amerikën”, shtoi ai.

Beteja katërvjeçare për TikTok-un, i cili përdoret nga 170 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara, është vetëm njëri prej shumë fronteve në luftën e internetit dhe teknologjisë mes Uashingtonit dhe Pekini. Javën e kaluar, Apple tha se Pekini e kishte urdhëruar t’i largonte platformat e Meta-s, WhatsApp dhe Threads, nga dyqani i saj i aplikacioneve në Kinë, për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë kombëtare. TikTok pritet ta sfidojë këtë projektligj përmes Amendamentit të Parë dhe përdoruesit e TikTok-ut pritet të ndërmarrin veprime ligjore gjithashtu. Një gjykatës në Montana e parandaloi ndalimin e TikTok-ut në këtë shtet, duke u thirrur në lirinë e shprehjes. Më 2020, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u përpoq ta ndalojë platformën e rrjetit social përmes një urdhri ekzekutiv. Ai urdhër u shfuqizua më vonë nga gjykatat, pas padisë nga TikTok. Administrata Trump ndërmjetësoi gjithashtu një marrëveshje më 2020, sipas të cilës korporatat amerikane Oracle dhe Walmart, do të siguronin aksione të mëdha në TikTok mbi baza të sigurisë kombëtare. Por, shitja e aksioneve nuk ndodhi asnjëherë për një numër arsyesh, ndër to Kina, e cila vendosi kontrolle më të rrepta të eksportit për ofruesit e vet të teknologjisë. /REL

Kush do ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?
VV
PDK
LDK
AAK-Nisma
Lista GUXO
Nuk e di
Voto
1,241
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024