Kompania “Fitorja”: Nëse mbyllet Terminali Doganor në Ferizaj do të përfitojnë kompanitë transportuese nga Serbia dhe shtetet e tjera
Lajme
Lexohet për: 6 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua

Në qershor të vitit 2024 do të skadojë licenca e Terminalit Doganor në Ferizaj. Ndonëse terminali ka bërë kërkesë për ri-licencim në kohë, Komisioni për shqyrtim dhe vlerësimin e kërkesës ende nuk ka shkuar në këtë Terminal dhe ende nuk ka asnjë përgjigje. Në ankesën e kompanisë “Fitorja” thuhet se nëse do të mbyllet Terminali, do të përfitojnë kompanitë transportuese nga Serbia dhe shtete e tjera, të cilat e përbëjnë pjesën më të madhe të transportit tokësor që operojnë në Kosovë me 95 për qind.

Ankesa e kompanisë “Fitorja”, peticionet dhe letrat e plota të Agjentëve Doganorë dhe bizneseve drejtuar kryeministrit Albin Kurti, por nga Qeveria e Kosovës nuk janë përgjigjur për KosovaPress.

Neglizhenca e MMPHI-së për mos ri-licencimin e Terminalit Doganor “Fitorja” në Ferizaj, flet ministri Aliu

Për këtë është deklaruar për KosovaPress, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili thotë se kjo çështje mbetet brenda Komisionit përkatës, dhe shton do të trajtohet proceduralisht sikurse edhe rastet tjera.

Aliu thekson se pretendimet nga ana e kompanisë dhe ato të Komunës së Ferizajt, do të trajtohen mjaft seriozisht edhe në ministrinë që e drejton ai, por edhe në Ministrinë e Financave.

Megjithëse, terminali ka bërë kërkesë për ri-licencim në kohë, komisioni për shqyrtim dhe vlerësim të kërkesës ende nuk ka shkuar në këtë Terminal dhe me ç’rast nuk ka përgjigje. Në ankesën e kompanisë “Fitorja” thuhet se nëse do të mbyllet Terminali, do të përfitojnë kompanitë transportuese nga Serbia dhe shtete e tjera, të cilat e përbëjnë pjesën më të madhe të transportit tokësor që operojnë në Kosovë me 95%. Megjithatë për këtë, Aliu thotë se duhet të ketë veprime që promovojnë zhvillimin ekonomik të vendit, dhe jo të dëmshme.

“Ne kemi marrë letër edhe nga Komuna e Ferizajt dhe pak a shumë jemi të njoftuar me situatën, është bërë edhe aplikimi nga ana e kompanisë, e cila sipas ligjit gjashtë ditë para duhet të bëjë aplikimin për vazhdimin e kësaj licence. Çështja e kësaj licence natyrisht do të mbetet brenda komisionit përkatës i cili merret dhe trajtohet proceduralisht sikurse edhe rastet tjera”, thotë Aliu.

Duke komentuar ankesën e kompanisë “Fitorja”, në të cilën thuhet se në rast të mbylljes së këtij Terminali, do të përfitojnë kompanitë transportuese nga Serbia, Aliu thotë se kjo nuk është në të mirën e vendit.

“Çështjen e terminalit, është ana procedurale, e cila ligjërisht do të trajtohet nga ana e komisionit dhe nuk mund të jap qëndrim. Natyrisht që neve na intereson që të mos kemi veprime të tilla që ndikojnë në ekonomi, por të cilat e promovojnë zhvillimin ekonomik në vend. Sigurisht se pretendimet nga ana e kompanisë, nga ana e Komunës së Ferizaj në Ministri edhe të Financave edhe tek ministria jonë do të trajtohen mjaft seriozisht në mënyrë që të shohim cili do të jetë rezultati i kësaj”, shton Aliu.

Duke u ballafaquar me këtë situatë, kompania “Fitorja” me seli në Ferizaj, operator i licencuar si Terminal i mallrave i është drejtuar me një ankesë kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, duke kërkuar nga qeveria që t’i vazhdohet licenca e operimit pasi i plotëson të gjitha kushtet dhe mbyllja e terminalit do të ketë dëme për të gjitha palët.

“Nga mosvazhdimi i licencës, njëherësh mbyllja e terminalit, do të dëmtohet shteti ynë, dogana, bizneset dhe agjentët doganorë sepse nga këto ndryshime nuk do të përfitoj askush përpos kompanive transportuese ndërkombëtare si Serbia, Maqedonia e Veriut, Turqia, Mali i Zi etj, të cilët e përbëjnë pjesën më të madhe të transportit tokësor që operojnë në Kosovë me 95%, kurse 5 % të tjera janë kompanitë transportuese vendore të cilat nuk hyjnë në terminale për shkak të lehtësirave doganore”, thuhet ndër të tjera në ankesë.

Kompania “Fitorja SH.P.K” me seli në Ferizaj, është operator i licencuar si Terminal i mallrave që operon më shumë se 10 vjet në këtë sektor dhe si e tillë, bashkëpunimi me Doganën, Agjentët doganor, bizneset dhe palët tjera ka qenë shumë korrekt, duke mos pasur asnjë ankesë gjatë gjithë këtyre viteve.

“Ne besojmë se mosvazhdimi i licencës, njëherësh mbyllja e terminalit, së pari na dëmton neve si kompani sepse gjatë gjithë kësaj kohe kemi investuar vazhdimisht në këtë sektor.

Së dyti, do të dëmtohet shteti ynë, do të dëmtohet dogana, bizneset dhe agjentët doganorë sepse nga këto ndryshime nuk do të përfitoj askush përpos kompanive transportuese ndërkombëtare si Serbia, Maqedonia e Veriut, Turqia, Mali i Zi etj, të cilët e përbëjnë pjesën më të madhe të transportit tokësor që operojnë në Kosovë me përqindje të lartë, në 95%, kurse 5 % të tjera janë kompanitë transportuese vendore të cilat nuk hyjnë në terminale për shkak të lehtësirave doganore”, thuhet ndër të tjera në ankesë.

Tutje në këtë ankesë, kompania “Fitorja” kërkon nga qeveria që para se të marrë një vendim, t’i ketë parasysh këto fakte.

“Andaj, ne si kompani ju lutemi që para se të vendosni të mbyllni terminalin të rishqyrtoni edhe njëherë këtë çështje e cila nuk është në dobi të askujt”.

Për këtë çështje, afër 300 biznese dhe rreth 30 agjentë doganor të cilët operojnë në Terminalin e Ferizajt kanë nënshkruar dy peticione të cilat u drejtohen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku shprehin shqetësimin dhe pakënaqësinë e tyre në lidhje me mosvazhdimin e licencës së terminalit në Ferizaj.

Në peticionin e nënshkruar nga agjentë doganor, ndër të tjera thuhet se nëse nuk vazhdohet licenca e operimit terminalit doganor, shumë agjenci doganore do të mbyllen dhe do të mbesin pa punë shumë punëtorë./E.Krasniqi/

Kush do ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?
VV
PDK
LDK
AAK-Nisma
Lista GUXO
Nuk e di
Voto
1,237
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024