Ambasadori francez në Kombet e Bashkuara, Nicolas de Riviere, ka thënë të hënën se në veriun e Kosovës duhet të organizohen shpejt zgjedhje, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve, për t’i zgjedhur kryetarët e rinj të katër komunave me shumicë serbe.
“Franca rikujton se tërheqja e kryetarëve të zgjedhur me vetëm 3 për qind të votave, do të ishte mënyra më e shpejtë për rivendosje të demokracisë përfaqësuese në katër komunat në veri, dhe do të jetë shenjë e shtensionimit të situatës”, tha ai.
Deklarata e tij vjen një ditë pas mbajtjes së një votimi në katër komunat në veri të Kosovës, për të larguar apo jo kryetarët atje.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka thënë se iniciativa për largim ose jo të kryetarëve ka dështuar, pasi në këtë proces kanë votuar 253 prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.
Kjo nënkupton se kryetarët aktualë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, do t'i vazhdojnë mandatet e tyre.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, e ka bojkotuar procesin e votimit për largim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore, më 21 prill, dhe ua ka kërkuar të njëjtën edhe banorëve serbë.
Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur keqardhje për mosshfrytëzim të së drejtës së votës në veri, mirëpo kanë thënë se nuk ka vendim prej votuesve për largim të kryetarëve.
“Kryetarët janë zgjedhur dhe vazhdojnë të jenë në pozitat e tyre, sipas kornizës ligjore të Kosovës”.
Zgjedhjet e prillit të vitit 2023 janë organizuar pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.
Edhe në ato zgjedhje, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e ka bojkotuar procesin zgjedhor dhe u ka bërë thirrje serbëve lokalë të veprojnë njëjtë.