Fati i kryetarëve në veri vendoset sot
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Sot në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut do të votohet për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë.

Në listën votuese janë 46 mijë e 556 qytetarë ose 1 mijë e 461 më shumë në krahasim me zgjedhjet e 23 prillit 2023.

Për shkarkimin e kryetarëve duhet që opsioni “po” të rrethohet nga së paku 50 për qind plus një votues me të drejtë vote, në secilën nga katër komunat në veri të Kosovës.

Votimet në Mitrovicën e Veriut do të mbahen në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në Suhodoll, objektin e komunës Lagjja e Boshnjakëve, SHFMU “Aziz Sylejamni” – Kodra e Minatorëve, International Business College Mitrovica -IBCM dhe ish-objekti komunal.

Në Zubin Potok qendrat e votimit janë të vendosura në objektin e komunës, objektin publik Mala Jabuka (Molla e vogël), Tek Ura e Bubës, Bërnjak dhe në shkollën fillore “Osman Rama” në Çabër.

Në Leposaviq mund të votohet në objektin komunal, objektin komunal në Soqanicë, objektin privat në Rëvatskë, objektin shtetëror në Dren, objektin e Ndërmarrjes Shoqërore Univerzal në Leshak, Koshtovë, objektin privat afër stacionit të autobusëve në Leposaviq dhe në shkollën fillore “Kadri Bistrica” në Bistricë.

Ndërsa në Zveçan do të votohet në objektin komunal, SHFMU “Isa Boletini” në Zhazhë, SHFMU “Isa Boletini” në Lipë, Rasja Banja në Banjskë dhe në objektin komunal në Zhitkovc.

Votimi organizohet në bazë të udhëzimit administrativ nga Qeveria e Kosovës, pas presionit të ndërkombëtareve për shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri.

Ndryshe, në rast mos shkarkimi kryetarët shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri do t’i sigurojnë vetes së paku një vit qeverisje të sigurt, pasi partitë serbe u kanë bërë thirrje serbëve lokalë të bojkotojnë procesin e votimit.

Kryetarët shqiptarë morën pushtetin, pasi Lista Serbe u bëri thirrje qytetarëve t’i bojkotojnë zgjedhjet e prillit 2023, të cilat u organizuan pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 me iniciativën e Listës Serbe.

Ndërkohë Lista Serbe kërkoi zgjedhje të reja, mbështeti peticionin e qytetarëve për shkarkimin e kryetarëve, por më 7 prill njoftoi se nuk do të merr pjesë në votim, duke përmendur si arsye listën e vjetruar të votuesve.

Sipas udhëzimeve të publikuara, qytetarët mund të përgjigjen me “po” ose “jo” në pyetjen se a pajtohen që kryetari i njërës prej katër komunave në veri të shkarkohet. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00. KQZ ende nuk ka publikuar orën e publikimit të rezultateve preliminare për fatin e kryetarëve në veri, ndërkohë që gjatë ditës do të mbajë katër konferenca për media për të informuar mbi mbarëvajtjen e procesit të votimit.

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
138
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024