Ismaili takon zyrtarë të lartë të BB-së, diskutojnë për modernizimin e sistemeve të pagesave dhe remitancave
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovë (BQK), Ahmet Ismaili, është takuar të enjten me Xiaoqing Yu, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore, ku në fokus të diskutimit ishte bashkëpunimi dhe zhvillimet e fundit në avancimin e sistemit të pagesave si pjesë e projekteve të përbashkëta ndërmjet BB-së dhe BQK-së për Modernizimin e Sistemeve të Pagesave dhe Remitancave.

“Diskutimi u përqendrua kryesisht në temat si përmbyllja e kornizës rregullatore dhe nxitja e zhvillimit të infrastrukturës së sistemit të pagesave për të lehtësuar pagesat e shpejta vendore dhe ndërkufitare. Për më tepër, diskutimet specifike ishin rreth përgatitjeve për aplikimin e BQK-së për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe potencialit për avancime drejt integrimit me Sistemin Target të Pagesave të Shpejta e (TIPS) të Euro-Sistemit”, thuhet në njoftim.

Guvernatori Ismaili falënderoi ekipin e BB-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj BQK-së, ndërsa Zëvendësguvernatori Fusha i informoi ata për përpjekjet dhe përkushtimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në agjendën e modernizimit të sistemeve të pagesave. U konstatua se mbështetja e BB-së për BQK-në do të vazhdojë përmes asistencës teknike dhe përpjekjeve për ngritjen e kapaciteteve drejt objektivave më të larta të integrimeve SEPA dhe TIPS.

Gjithashtu, Guvernatori Ismaili mori pjesë në një aktivitet të Bankës Botërore të titulluar "Zhbllokimi i fuqisë së Pagesave Ndërkufitare", së bashku me Guvernatoren e Bankës Qendrore të Malit të Zi, Znj. Radoviq, dhe Drejtorin Global të BB-së, Z. Pesme, si dhe pjesëmarrësit e tjerë.

“Gjatë diskutimit, i pari i BQK-së theksoi përkushtimin e Kosovës për arritjen e objektivit të G20-së për uljen e kostove të dërgimit të remitancave. Ai diskutoi përpjekjet e integrimit në SEPA që synojnë standardizimin e kornizave ligjore dhe rregullatore për të ofruar pagesa më të shpejta, më të lehta dhe me kosto më efektive. Zhvillimet e infrastrukturës teknike, duke përfshirë zgjidhjet e shpejta të pagesave, premtojnë rritjen e përfshirjes financiare, efikasitetin e pagesave, formalizimin e ekonomisë dhe integrimin rajonal”, thuhet në komunikatë.  

Në përfundim të diskutimeve, Guvernatori Ismaili rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës dhe angazhimin e saj proaktiv në nxitjen e pagesave efikase ndërkufitare, duke marrë parasysh rëndësinë dhe përfitimet për të gjithë ekonominë nga integrimi me sistemet e pagesave të BE.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024