25-vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova
Lajme
Lexohet për: 5 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Sot shënohet 25-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.

Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra-mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës përkujtohet, e në dy vjetët e fundit edhe simbolikisht prej pandemisë, kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.

Eksodi, apo dëbimi i shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi), transmeton KosovaPress.

Me datë 27 mars, në orën 13:20, në pikëkalimin doganor të Vërmicës/Morinës kalojnë në Kukës 187 refugjatët e parë nga Kosova ku shumica ishin fëmijë dhe gra, të cilët ishin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore dhe të plagosur me mjete të forta si: qyta pushke, shkopinj gome etj. U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga drejtuesit e Prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina.”

Deri në orën 24.00 të datës 27 mars 1999 ne Kukës mbërritën 12.721 kosovarë. Ndihmat e para ushqimore erdhën nga Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë ku me datë 27 mars në Kukës, u dërguan kontingjente me ushqime (vaj, miell, sheqer, makarona, oriz, sapunë etj.) për 2.500 persona në muaj.

Më datë 28 mars vazhdoi fluksi i kosovarëve drejt Kukësit, të dëbuar me forcë prej trojeve nga pushtuesit serbë. Numri i tyre ishte 13.000 banorë. Refugjatët kosovarë hynin në Kukës nga pikëkalimi i Vërmicës/Morinës ku edhe ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe zhveshur nga policët serbë, duke u marrë paratë, bizhuteritë dhe çdo send me vlerë që ato kishin

Vendstrehimi i tyre përkohshëm ishte Pallati i kulturës “Hasan Prishtina”. Më pas pushteti lokal në Kukës hapi dyert e disa mjediseve shkollore, çerdhesh, kopshtesh, magazinash dhe deposh për strehimin e të dëbuarve. Refugjatët e tjerë u strehuan në familje kuksiane ku edhe u mikpritën nga to. Mesatarisht çdo familje në qytetin e Kukësit kishte rreth 14 kosovarë. Ata flinin në çdo pjesë të shtëpisë.

Në krye të javës në Kukës mbërriti karvani i dytë i të dëbuarve me rreth 70.000 kosovarë. Nga këto 40.000 u sistemuan pranë familjeve qytetare, 10.000 në mjedise të ndryshme publike të qytetit, 6.000 në komunat Bicaj, Kolsh, Tërthore dhe Shtiqën, 12.000 në qytetin e Krumës dhe 300 në komunën Golaj. Në Kukës mbërritën 16 automjete për të evakuuar një pjesë të kosovarëve në qytete të tjera. Dita-ditës numri i të dëbuarve rritej. Pavarësisht strehimit në shtëpitë e banorëve kuksianë, një numër i madh kosovarësh strehoheshin në kampe.

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.

Një nga simbolet kryesore të 16 Prillit është edhe Obelisku. Kulla u ndërtua si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar. Ajo është ndërtuar në vendin ku ishin vendosur çadrat qe strehonin popullatën kosovare. Kulla është 23.5 metra e gjatë dhe është e mbushur me foto, të cilat paraqesin ngjarjet e asaj kohe. Kulla është një nga pikat më të vizituara turistike në Kukës. Gjatë datës 16 prill kulla është pika që vizitohet me shpesh.

Për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit qëndron monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.

Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë e pavarësinë e shumëpritur.

Kush do ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?
VV
PDK
LDK
AAK-Nisma
Lista GUXO
Nuk e di
Voto
1,265
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024