Masakra në Sllovi të Lipjanit, familjarët presin drejtësinë e vonuar
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar sjelljen para drejtësisë të të gjithë autorëve përgjegjës të krimeve serbe në Sllovi të Lipjanit 25 vjet më parë. Ai në një postim në Facebook ka përshkruar krimin makabër të ish-regjimit të Sllobodan Millosheviqit, për të cilin deri më tash është dënuar vetëm një serb. “Urdhërdhënësit dhe të gjithë kryerësit e tjerë të masakrës së Sllovisë duhet sjellë para drejtësisë. Drejtësinë e vonuar vazhdojnë ta presin familjarët edhe pas 25 vitesh, me kujtimet e njoma dhe plagët e hapura. Në 25-vjetorin e kësaj masakre, përkujtojmë 45 civilët shqiptarë të vrarë nga forcat e armatosura të Serbisë. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta,” ka shkruar Kurti.

Postimi:

Nënës Halime, të paralizuar, ia pushkatuan familjarët. Pastaj e dogjën për së gjalli. I gjetën vetëm pjesë të eshtrave, në Batajnicë të Serbisë.

Në mëngjesin e 15 prillit 1999 pjesëtarët e ushtrisë serbe, me tanke e rrethuan fshatin Sllovi. Trupat e të masakruarve gjatë këtij sulmi, ishin varrosur nga serbët në dy varreza masive.

Me qëllim të fshehjes së krimit, më 29 prill 1999 forcat policore e ushtarake serbe, i zhvarrosën kufomat nga varrezat masive dhe i dërguan në shkollën e vjetër të fshatit, ku ishin të stacionuar.

Më 30 prill, i urdhëruan anëtarët e familjeve të viktimave, që të shkojnë në shkollë, t’i identifikojnë të afërmit e tyre, e pastaj, nën përcjelljen e forcave serbe i urdhëruan t’i rivarrosin veç e veç në varreza familjare.

Të nesërmen, më 16 prill pjesëtarët e ushtrisë serbe hynë në Sllovi, dëbuan banorët dhe ua djegën shtëpitë. Civilët ishin strehuar te “Lugu e Demes”. Ushtarët serb pasi i identifikuan që gjenden aty, gjuajtën me armë zjarri drejt tyre. Në një livadh i ndanë burrat dhe filluan t’i rrahin. Pas rrahjes, i urdhëruan të vrapojnë drejt pyllit. Pastaj hapën zjarr në drejtim të tyre. Civilët shqiptarë të masakruar më 16 prill 1999, u zhvarrosën me eskavatorë më 24 maj 1999. U vendosën në dy traktorë me rimorkio të mbuluar me najlon të zi, nën përcjelljen e disa ushtarëve serb. Nga traktorët, kufomat u vendosën në një kamion dhe u dërguan në drejtim të Lipjanit.

Trupat e civilëve të vrarë atë ditë në Sllovi janë gjetur në varrezën masive në Batajnicë.

Për këtë masakër, në prill 2023, Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar dënimin e Goran Stanishiqit me 15 vjet burg, si pjesëmarrës në dëbimin, vrasjen e ushtrimin e dhunës ndaj popullatës civile shqiptare në fshatrat e komunës së Lipjanit.

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
138
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024