Vlerësimet dhe parashikimet reale dhe të besueshme të FMN-së dhe të BB-së për rritjen ekonomike të Kosovës
Lajme
Lexohet për: 6 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Parashikimet si dhe vlerësimet e institucioneve me renome ndërkombëtare, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore (shumë të përafërta njëra me tjetrën), sikur kundërshtohen dhe përgënjeshtrohen edhe nga vendimmarrësit e zhvillimeve ekonomike (pozita, pra), por edhe nga opozita, si gjithnjë mohuese. Pse janë interesante vlerësimet dhe parashikimet e sivjetshme të FMN-së për rritjen ekonomike të Kosovës?

Buletini Ekonomik

Kur kihet parasysh gjendja e zhvillimeve ekonomike në Kosovë në vitet e fundit, por edhe në tremujorin e parë të 2024-tës, që karakterizohet me investime të pakta, me mirëqenie të rrënuar të shumicës së popullsisë, me mungesa evidente të energjisë elektrike të prodhuar nga kapacitetet vendore, me shëndetësi të lodhur dhe me gjendje goxha alarmuese në arsim, doemos bëhen interesante disa parashikime, por edhe vlerësime të dy institucioneve prestigjioze ndërkombëtare – Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB).

Më konkretisht, pas një vizite të një ekipi të FMN-së në Kosovë (18-27 mars 2024), ka pasuar parashikimi i Institucionit të njohur ndërkombëtar se “rritja ekonomike pritet të ngritet deri në 3.8 për qind në vitin 2024, e nxitur fuqishëm nga konsumi privat dhe rritja më e shpejtë e investimeve dhe se sistemi bankar vazhdon të jetë i shëndoshë”. Por, FMN, edhe me këtë rast nuk ka lënë pa potencuar as rreziqet për perspektivën ekonomike të Kosovës, që përfshijnë “rritjen e çmimeve të mallrave si pasojë e tensioneve gjeopolitike, aktivitetit më të ulët në ekonomitë e avancuara evropiane dhe përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës”.

Po kështu, sipas këtij institucioni ndërkombëtar, “krahas historikut pozitiv me politika të kujdesshme, Kosova ka rezerva të konsiderueshme për t’i zbutur goditjet eventuale negative, duke përfshirë borxh të ulët publik, sistem bankar likuid dhe të mirëkapitalizuar, SBA-në e kujdesit paraprak, ekzistenca e rezervës emergjente për likuiditet si dhe linja e përkohshme e Marrëveshjes së Riblerjes REPO (100 milionë euro) të Bankës Qendrore e Kosovës (BQK) me Bankën Qendrore Evropiane (BQE), që së fundi është zgjatur deri në janar 2025.

Thënë shkurt, në komunikatën e FMN-së, pas kësaj vizite, bëhet e ditur se “Ekonomia e Kosovës ka vazhduar të performojë mirë, përkundër mjedisit të jashtëm sfidues”.

Edhe Banka Botërore në raportin për Perspektivën Ekonomike Globale, të publikuar më 9 janar të këtij viti, ka parashikuar që Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon në vitin 2024. Konkretisht, Kosova parashihet të ketë një rritje ekonomike prej 3.9% në vitin 2024. Në vendin e dytë renditen Shqipëria dhe Mali i Zi me nga 3.2% secila, pasuar nga Serbia me 3.0%, Bosnja e Hercegovina 2.8% dhe Maqedonia e Veriut me 2.5%.

Por, këto parashikime si dhe vlerësimet e këtyre dy institucioneve me renome ndërkombëtare, që janë shumë të përafërta njëra me tjetrën, sikur kundërshtohen dhe përgënjeshtrohen edhe nga vendimmarrësit e zhvillimeve ekonomike (pozita, pra), por edhe nga opozita, si gjithnjë mohuese. Dhe, pasi të ballafaqohen të dhënat e FMN-së dhe BB-së me ato të pozitës dhe opozitës për rritjen ekonomike të realizuar tashmë dhe të parashikuar për këtë vit, shihet sa divergjenca ka, sa i thellë është hendeku i parashikimeve.

Pozita, nëpërmjet ministrive përkatëse, që merren me çështjet ekonomike, pretendon se në këto tre vjet të qeverisjes aktuale ka pasur rritje më të madhe ekonomike, madje thuaja dyfishin e vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare. Ministri i Financave të Kosovës, Hekuran Murati, këto ditë ka deklaruar se rritja e përçdovitshme gjatë këtyre tre vjetëve të Qeverisë Kurti 2, ka qenë 6.2 për qind dhe ka renditur edhe një varg të arriturash të tjera, që flasin, sipas tij, për rritje evidente ekonomike.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, një nga subjektet opozitare, që jo rrallë ngre zërin ndaj ngecjeve zhvillimore, kundërshton të dhënat e pushtetit për rritjen ekonomike duke thënë se “pushteti po propagandon kur po thotë se rritja mestare ekonomike ka qenë 6.2 përqind në tri vjet qeverisje, meqë po e llogaritë edhe rritjen në vitin post-pandemik”. Nga kjo parti thonë se me trendin e kësaj Qeverise, Kosovës i duhen 40 vite për të arritur Kroacinë dhe plot 80 vite mesataren e Bashkimit Evropian.

“Pa vitin pandemik dhe atë post pandemik, ekonomia e Kosovës është rritur mesatarisht për vetëm 3.6% në vit. Në 10 vitet paraprake, rritja mesatare vjetore ishte 4.7%. Mungesa e investimeve kapitale qendrore (vetëm 11% e buxhetit, rekord i ulët historik) e shpërndarja e plot 811 milionë eurove si ndihmë pa efekt, janë arsyet e një rritjeje kaq të ulët ekonomike”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas LDK-së, “arsyeja për një rritje jo të mjaftueshme ekonomike është mungesa e investimeve kapitale. Kujtojmë se në 3 vitet e fundit, imvestimet qendrore janë – si asnjëherë më parë – vetëm 11%. Gjersa, Qeveria në këto tre vite ka ndarë 811 milionë euro para si ndihmë. Pa investime e projekte kapitale, nuk mund të ketë zhvillim. Propaganda nuk e bën ekonominë. Fundja, mirëqenia e zhvillimi s’mund të fshihen sepse ato i ndjejnë qytetarët tanë në çdo hap të tyre.”

Dhe në fund, vrojtuesit e vëmendshëm të ecurive ekonomike në Kosovë, duke komentuar këto ‘shtyrje’ dhe kundërtshtime pozitë-opozitë, pa hezitim konstatojnë se është fakt që ka propagandë jo të paktë nga pushteti edhe kur bëhet fjalë te rritja ekonomike, por njësoj, sipas tyre, ka antipropagandë nga subjektet opozitare, të cilat janë të prirura të mohojnë gjithçka, edhe të arritura eventuale të pushtetit aktual.

Në Kosovë, pafundësisht janë të politizuara edhe zhvillimet ekonomike. Por, publiku kosovar tashmë di të dallojë propagandën nga faktet reale që flasin për ngecje, por edhe për zhvillime ekonomike. Di po kështu, edhe për reputacionin e institucioneve ndërkombëtare financiare, të FMN-së dhe të BB-së, të arritur në radhë të parë nga puna e përgjegjshme e këtyre institucioneve, e vlerësimeve dhe parashikimeve shumë të sakta dhe të analizuara detajisht, si dhe nga analizat e hulumtimet serioze të tyre. Prandaj, për publikun kosovar, tashmë janë valide dhe shumë të besueshme parashikimet dhe vlerësimet e FMN-së dhe të BB-së.

Opinioni, sikundër edhe ekspertët, i kanë fare të qarta edhe rekomandimet e FMN-së se “në vijim, nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të forcuar politikat tatimore dhe administrimin tatimor në Kosovë, ashtu që të rritet edhe më tej mobilizimi i të hyrave. Ndërsa, prioritetet e tjera të reformës strukturore fiskale duhet të përfshijnë përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike, përmirësimin e menaxhimit të rrezikut fiskal dhe përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit të ndërmarrjeve publike (NP)”. /Buletini Ekonomik/

Kush do ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?
VV
PDK
LDK
AAK-Nisma
Lista GUXO
Nuk e di
Voto
1,265
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024