ShBA: Na vjen keq që Lista Serbe do të bojkotojë shkarkimin e kryetarëve në veri
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Lista Serbe të dielën ka njoftuar se nuk do të marrin pjesë në votimin e 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore të Kosovës.

Lidhur me këtë, ambasada amerikane në Kosovë në një përgjigje për rtv21.tv ka thënë se është e rëndësishme që qytetarët të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre për të larguar zyrtarët e zgjedhur në përputhje me ligjin në Kosovë, nëse ata vendosin ta bëjnë një gjë të tillë.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë një votim për largimin e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane në Kosovë.

Nga kjo ambasadë kanë thënë se vlerësojnë përpjekjet për të lejuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në votimin e 21 prillit.

Ambasada shton se në këtë proces mundësi pjesëmarrje kanë edhe komuniteti serb.

“Ne vlerësojmë përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për të lejuar të gjithë qytetarët kosovarë të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës kanë mundësi të marrin pjesë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

“Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se do tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve”, thuhet në përgjigje.

Ambasada ka thënë se pret që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve në veri gjatë procesit.

Tutje, në përgjigje thuhet se ShBA dhe partnerë tjerë do ta ndjekin këtë proces nga afër.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, dje në një konferencë për media tha se kjo parti është kundër votimit të 21 prillit për largimin e kryetarëve aktualë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit.

Kush do ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?
VV
PDK
LDK
AAK-Nisma
Lista GUXO
Nuk e di
Voto
1,127
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024