Procesi i regjistrimit të popullsisë, ASK njofton për progresin e sfidat
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

U.d kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati ka deklaruar se deri më tani janë përfunduar 7 mijë e 643 intervista sa i përket procesit të regjistrimit të popullsisë. Sipas tij, çdo gjë është duke shkuar sipas planifikimeve, porse sfidë mbetet komuniteti serb në disa pjesë të vendit.

Kastrati në një konferencë për media të hënën derisa ka njoftuar lidhur me ecurinë e punës në terren për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare, dhe banesave në Kosovë, ka theksuar se në veri për shkak të disa trajnimeve ende nuk ka filluar ky proces në atë pjesë të Kosovës.

"Kemi disa sfida nga komuniteti serb në disa pjesë, dhe presim të tejkalohen. Ishim në pjesën veriore, dhe presim që ditëve në vijim edhe ata të angazhohen në regjistrim. Kemi hyrë në fazën e grumbullimit të të dhënave në terren, pajisjet janë funksionale, njëkohësisht sistemi është duke funksionuar pasi ka qenë sfidë. Gjitha aktivitetet e parapara janë në linjë me planin", tha Kastrati.

Ai ka shtuar se nga tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë.

"Që nga tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë, kanë pas për detyrë të shpërndajnë disa materiale informuese dhe që nga tani do të zhvillohen intervistat. Gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë në regjistrim dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Kemi edhe institucione tjera ndërkombëtare që do ta monitorojnë procesin e regjistrimit", ka shtuar Kastrati.

Derisa ka njoftuar që ka qenë në vizitë në pjesën veriore të vendit, ai ka thënë se përfaqësuesit nga komuniteti serb kanë shprehur gatishmëri të regjistrohen.

"Vet isha në pjesën veriore dhe jemi takuar me përfaqësues të komunitetit serb dhe ka një gatishmëri edhe të popullsia të regjistrohen, kanë kërkuar disa ditë afat që të trajnohen dhe ne jemi dakord. Shpresojmë se do jenë në terren të grumbullojnë të dhëna. Popullsia është sfidë edhe për ata vet", tha asi

I pyetur për thirrjen për bojkot nga Lista Serbe, ai ka thënë përveç ASK janë gjitha institucionet e përfshira, sidomos të sigurisë dhe gjyqësorit e poashtu është thënë se e kanë angazhuar edhe juristin Mazllum Baraliu.

Ndërsa, për këtë Baraliu ka thënë se është çështje e KQZ-së ta vlerësojë dhe të ndërmarrë hapat e duhur.

Ndryshe, Kastrati ka thënë se aplikacioni është në katër gjuhë, shqip, anglisht, turqisht dhe serbisht./E.Krasniqi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024