Kurti përkujton dëshmorët në Abri të Epërme: Kërkojmë drejtësi deri në fund
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, fushatat kriminale të Serbisë për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët vendas, shkuan duke u ashpërsuar dhe intensifikuar. Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar se më 7 prill 1999, forca të armatosura policore dhe ushtarake të Serbisë sulmuan fshatin Abri e Epërme të Drenasit, duke i shënjestruar veçanërisht lagjet Demaku dhe Xhemajli, ku hasën në rezistencë nga ushtarët e Brigadës 111 “Adem Jashari” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Pas disa orësh luftime të ashpra në mbrojtje të civilëve dhe të atdheut të tyre, më 7 prill 1999, ranë dëshmorë Xhevat Demaku – 24 vjeçar, bashkë me kushëririn e tij të parë Bedri Demakun – 22 vjeçar dhe bashkëluftëtarin e tyre Imer Shalën – 27 vjeçar nga fshati Dobrevë. Gjatë këtyre luftimeve u plagosën Besim Vrellaku, Xheladin Xhemajli, Driton Rama dhe Rexhep Hoxha,” ka shkruar Kurti në Facebook.

Në mesditën e 7 prillit 1999, forcat serbe i sulmuan banorët civilë te tunelet mes fshatrave Çabiq dhe Açarevë, ku nga predhat u vra e vetmja motër e dëshmorit Xhevat Demaku, Fatimja, së bashku me djalin e saj katërvjeçar Mirget Gashin, kurse vajza e saj Drenusha u plagos rëndë dhe në kushte lufte iu amputua dora. Atë ditë aty u vranë edhe Emurllah Gashi, Zarife Gashi, Bledar Gashi, Shaban Gashi, Enver Gashi, Sead Gashi, Sofije Gashi, Zade Gashi dhe Servete Gashi. Në të njëjtën ditë, më 7 prill 1999, në afërsi të fshatit Lybeniq të Pejës, një grup prej 13 ushtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pesë banorësh civilë nga fshatrat përreth, ranë në një pritë të ushtarëve të Serbisë. “Nga ajo ditë e deri sot që u bënë 25 vjet, ky grup prej gjithsej 18 personash, dëshmorë dhe martirë të lirisë së Kosovës, rezultojnë të zhdukur me dhunë: Hazir Bezeraj, Januz Bezeraj, Muhamed Bezeraj, Abedin Shala, Jeton Shala, Nazmi Shala, Sejdi Shala, Selim Shala, Valdet Shala, Demë Shala, Kushtrim Shala, Agim Gjocaj, Arben Gjocaj, Lulëzim Gjocaj, Nazmi Gjocaj, Selvete Gjocaj, Sylë Gjocaj dhe Deli Bricori,” ka thënë Kurti. Ai ka thënë se shteti i Kosovës nuk do t’i harrojë dëshmorët dhe martirët e rënë gjatë luftës, për çka do të kërkojnë drejtësi deri në fund, për çdo rast dhe për secilin krim të kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë.

Kush do ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?
VV
PDK
LDK
AAK-Nisma
Lista GUXO
Nuk e di
Voto
1,159
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024