Kurti kujton viktimat në Polac: Serbia zhdukte trupat dhe gjurmët, do të kërkojmë drejtësi
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi të bërë në Facebook ka përkujtuar vrasjen e 86 personave në verën e vitit 1998 në fshatin Polac të Drenicës.

Kryeministri shkruan se “pas fushatave vrastare të kryera mbi shqiptarët e Kosovës, preokupimi më i madh i shtetit të Serbisë ishte fshehja e këtyre krimeve dhe zhdukja e gjurmëve, që kryesisht synohej përmes zhdukjes së trupave të pajetë”.

“Shoqëria dhe shteti i Kosovës do të kujdesen për trashëgiminë e luftës së popullit të Kosovës. Nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për viktimat, për krimet e luftës dhe dëmet e luftës në drejtim të kriminelëve dhe në adresë të urdhërdhënësve të tyre”, ka shkruar mes tjerash ai.

Postimi:

7 prilli është data kur kujtohen viktimat civile dhe dëshmorët e Polacit të Drenicës!

Përpara se të fillonte lufta në Kosovë, në fshatin Polac të komunës së Skënderajt jetonin rreth 450 familje me mbi 4000 banorë, që të gjithë shqiptarë.

Por gjatë ofenzivave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në verën e vitit 1998 mbi fshatrat e Drenicës dhe veçanërisht gjatë fushatave kriminale të forcave të armatosura të Serbisë, në Polac u vranë 86 njerëz: 78 viktima civile të paarmatosura dhe 8 dëshmorë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nga të vrarët në Polac, 12 persona ishin nga lagjja Kerolli, 11 nga lagjja Kabashi, 11 nga lagjja Veliu, 11 nga lagjja Xani, 8 nga lagjja Koci, 4 nga lagjja Aliuka, 3 nga lagjja Hoti, si dhe nga lagje të tjera.

Pas fushatave vrastare të kryera mbi shqiptarët e Kosovës, preokupimi më i madh i shtetit të Serbisë ishte fshehja e këtyre krimeve dhe zhdukja e gjurmëve, që kryesisht synohej përmes zhdukjes së trupave të pajetë. Shtatë banorë të Polacit janë ende të pagjetur, teksa autoritetet e Serbisë i refuzojnë dhe i bishtnojnë bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Në kohën e luftës, 20 banorë të Polacit u mbijetuan plagëve.

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
376
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024