Shtatfishohet numri i zyrtarëve që nuk deklaruan pasurisë
Intervista
Lexohet për: 2 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua

Për rreth shtatë herë është rritur numri i zyrtarëve publikë që nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, në krahasim me vitin e kaluar. Afro 200 zyrtarë nuk i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për deklarimin e pasurisë, nga 8 mijë sa ishin të obliguar.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj thotë se përkundër që ka pasur lehtësime në procesin e deklarimit, numri i zyrtarëve që nuk e kanë kryer këtë obligim, është rritur në krahasim me vitin e kaluar, pasi gjatë vitit të kaluar kanë qenë mbi 30 persona që nuk e kanë deklaruar pasurinë, derisa këtë vit, ky numër shkon në 200.

Buleshkaj për KosovaPress, ka thënë se për të gjithë ata të cilët nuk u janë përgjigjur pozitivisht kësaj thirrjeje, ligji parasheh shqiptimin e gjobave, duke filluar me ndaljen 30 për qind të pagës mujore e deri në kallëzim penal tek institucionet e drejtësisë. Buleshkaj thotë se ka pasur një kërkesë nga Policia e Kosovës që disa pozita specifike mos ta bëjnë deklarimin e pasurisë, porse shton se është refuzuar sepse nuk ka pasur bazë ligjore. Ai thekson se ligji përjashton nga publikimi i deklarimit të pasurisë vetëm Agjencinë Kosovare për Inteligjencë dhe njësitë e veçanta të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).

Buleshkaj e konsideron si trend negativ rritjen e numrit të zyrtarëve publikë që nuk me kanë bërë deklarimin e pasurisë. Ai tha se pavarësisht që nuk e kanë pasur për obligim, i kanë dërguar disa vërejtje zyrtarëve lidhur me këtë çështje. 

Periudha për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë ka filluar më 1 mars dhe ka përfunduar më 31 mars. Ndërkaq, për herë të parë në Kosovë, mbi 2 mijë mjekë dhe profesorë, kanë qenë të obliguar që ta deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Brenda afatit një mujor, i cili ka përfunduar më 12 mars, 1500 mjekë nga spitalet rajonale dhe të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke përfshirë edhe 800 profesorë nga shtatë universitetet publike, kanë qenë të detyruar ta kryejnë këtë obligim ligjor.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024