Osmani pret në takim kryetarin e Komitetit për Çështje Politike në AP të KiE
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Bertrand Bouyx, kryetar i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim z. Bertrand Bouyx, kryetar i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, njëkohësisht deputet në Kuvendin Kombëtar të Francës.

Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast falënderoi z. Bouyx për lidershipin dhe mbështetjen e tij për Kosovën në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, i cili me shumicë dërmuese, votoi për të çuar përpara anëtarësimin e Kosovës për votim në Asamblenë Parlamentare.

Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli e të cilat do të shërbenin si mekanizëm shtesë për mbrojtjen e garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, pa dallim.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës në këtë drejtim, ndërsa ka shfaqur besim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të vlerësohet pozitivisht nga deputetët e shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare.

Tutje, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të vazhdohet puna e përbashkët me shtete mike e aleate për ta avancuar tutje këtë proces drejt finalizimit të suksesshëm të tij.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024