U përurua reparti i pediatrisë në Mitrovicë me vlerë prej 1 milion euro
Shëndetësi
Lexohet për: 3 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua

Në spitalin e përgjithshëm ‘Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë, sot është përuruar reparti i pediatrisë, ku morën pjesë kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që së bashku me bashkëpunëtorët e tij ndodhet sot në Mitrovicë, në përurimin e këtij reparti. Ai tha se investimi në këtë repart kap shumën prej rreth 1 milion eurosh, prej të cilave gjysma janë nga shoqata ‘Nëna Terezë’, nga Gjermania dhe gjysma tjetër nga shoqata “Jetimat e Ballkanit”.

Sipas tij, për dallim nga e kaluara ku ka pasur vetëm një dhomë me shtatë shtretër, tash do të jenë 11 dhoma me 25 shtretër dhe me pajisje modern të teknologjisë së fundit.

‘Është kënaqësi dhe nder për mua si kryeministër i Republikës së Kosovës, së bashku me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe drejtorin e SSHKUK-së Elvir Azizi, që të jemi sot këtu në Mitrovicë me rastin e inaugurimit të repartit të pediatrisë…Investimi është rreth një milion euro, prej të cilave gjysma vijnë nga shoqata ‘Nëna Terezë’ nga Gjermania… dhe ‘Jetimat e Ballkanit’. Më herët në këtë repart ka pasur vetëm një dhomë me shtatë shtretër, janë kryer mbi 1 mijë hospitalizime brenda vitit dhe rreth 37 mijë vizita ambulantore, ndërsa tash do të jenë gjithsej 11 dhoma me 25 shtretër, ku njëra prej dhomave do të jetë edhe intensive. Do të ketë pajisje moderne mjekësore të teknologjisë së fundit të cilat natyrisht garantojnë kujdesin maksimal dhe mundësi më të mira për shërim të plotë dhe të shpejtë të të gjithë pacientëve, të cilët do t’ia kenë nevojën këtij reparti të ri’, ka thënë Kurti.

Në anën tjetër, drejtoresha e spitalit në Mitrovicë, Laura Nushi, duke falënderuar kryeministrin Kurti dhe Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët mundësuar funksionalizimin e repartit të pediatrisë, ka thënë se sot është një ditë e madhe për qytetin e Mitrovicës dhe fëmijët e këtij qyteti. Ajo premtoi se personeli i këtushëm do të angazhohet më shumë në ofrimin e ndihmës për pacientët që do të trajtohen në këtë repart.

Ndryshe, ky objekt i pediatrisë ishte ndërtuar në vitin 2016 me ndihmën e një organizate humanitare, por që për shkak të disa parregullsive në punime, nuk ka arritur të funksionalizohet deri më sot.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024