Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve nga familja Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi, në Gjakovë, në përkujtim të 25-vjetorit të masakrës nga forcat e armatosura serbe.
Në shënim të kësaj date të dhimbjes historike për familjarët e familjes Vejsa, kryeministri Kurti, deklaroi se vrasja e fëmijëve, foshnjave, pleqve dhe plakave, e grave e civilëve të pambrojtur është dëshmi e gjenocidit nga ana e Serbisë e cila u përpoq ta shfarosë popullin e Kosovës.
“Ekzekutorët janë me dhjetëra, janë me qindra edhe ata do të duhej të përgjigjeshin para drejtësisë. Fillimisht në vitin 2019, e më pastaj edhe në vitin 2022 me Kodin e Procedurës Penale dhe plotësim-ndryshimin ne e kemi mundësuar që kriminelët të përndjeken, të gjykohen, të dënohen edhe në mungesë”, tha kryeministri Kurti.
Më tej, ai theksoi se ishin sot aty për të treguar solidaritetin institucional e kombëtar, qytetar e njerëzor me familjet, dhe për të nderuar sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve të kombit të Kosovës.
Kryeministri Kurti, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule edhe te varret e të vrarëve nga familjet Bardoniqi, Dulatahu e Gerqari.