Dorëzohen në polici personat e kërkuar për tentim vrasje në Prizren
Siguri
Lexohet për: 2 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Dy personat e dyshuar, të përfshirë në të shtëna me armë zjarri mbrëmë në rrugën “Gani Saramati”, janë dorëzuar sot pasdite në stacionin policor në Prizren. Lajmi për KosovaPress është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë rajonale për Prizren Shaqir Bytyqi, sipas të cilit është gjetur dhe konfiskuar edhe arma me të cilën dyshohet të jetë shkrepur në drejtim të një automjeti tjetër. “Mbrëmë më datën 30 mars 2024, rreth orës 22:40 është raportuar për gjuajtje me armë në rrugën “Gani Saramati” në Prizren. Viktima e rastit, A.S. (29) nga Korisha është paraqitur në stacionin policor të Prizrenit, ku ka raportuar se derisa ka qenë në automjet në lëvizje njëri nga dy të dyshuar të njohur për viktimën, nga automjeti i tyre, i cili gjithashtu ka qenë në lëvizje, ka nxjerrë armën-pistoletë dhe ka shtënë në drejtim të automjetit të tij. Nga të shtënat askush nuk ka marrë lëndime”, ka thënë Bytyqi.

Policia pasi ka mbledhur provat dhe dëshmitë e mundshme, në konsultim me prokurorinë e shtetit kanë filluar hetime për rastin e cilësuar si vrasje në tentativë. “Policia ka kërkuar të dyshuarit në shtëpinë e tyre në Prizren, por ata janë larguar dhe nuk është ditur vendqëndrimi i tyre. Gjithashtu me urdhër të prokurorit është bastisur shtëpia e të dyshuarve, por nuk është gjetur ndonjë gjë e dyshimtë apo e ndaluar me ligj. Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë vazhduar me hetimin e rastit dhe pasi kanë rënë në kontakt me të dyshuarit, ata sot më datë 31 mars 2024, rreth orës 13:00 janë dorëzuar në polici. Gjithashtu, edhe arma pistoletë e përdorur është gjetur dhe sekuestruar”, ka shtuar Bytyqi. Pas intervistimit në prezencën e avokatëve mbrojtës, dy të dyshuarve me urdhër të prokurorit iu është caktuar masa e ndalimit 48 orë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024