Kurti: Me fshehjen e krimeve Serbia po i forcon lidhjet me kryerësit e vrasjeve
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se përpjekja e Serbisë për ta fshehur krimin po e forcon edhe më shumë lidhjen e Beogradit zyrtar me autorët e krimeve serbe ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, ndërsa i bëri thirrje prokurorisë të punojë më shumë në ngritjen e aktakuzave për krime lufte. Në Pastasel të Rahovecit, kryeministri Kurti ka përkujtuar 106 civilë të paarmatosur shqiptarë nga forcat serbe 25 vjet më parë. “Këtë vit po bëhen 25 vite prej kur vendi ynë është çliruar nga Serbia. Por derisa të arrijmë te 25-vjetori i çlirimit që është në mes të qershorit, tërë stina e pranverës është e mbushur me 25-vjetor të masakrave që shteti i Serbisë i ka kryer mbi shqiptarët në Kosovë”, tha Kurti.

Ai ka theksuar se masakrat dhe vrasjet e civilëve shqiptarë gjithandej Kosovës nga forcat serbe kryheshin me urdhër të shtetit të Serbisë. “Adresa e parë e këtyre akuzave për këto krime bashkë me kriminelët e luftës veç e veç është Beogradi zyrtar, me trashëgiminë aq të madhe të përgjegjësisë penale ndërkombëtare dhe të fajit politik të shtetit të Serbisë, që edhe sot e kësaj dite strehon dhe mbron kriminelët e luftës dhe nuk bashkëpunon me drejtësinë për të gjitha krimet dhe masakrat të cilat kanë ndodhur në Kosovë,” ka thënë Kurti.

Ai tha se jo vetëm historia e masakrës së kryer në Pastasel më 31 mars, por edhe ajo e zhvarrosjes së trupave tre javë më vonë më 21 prill, pasi përpjekja e pushtetit të Serbisë për ta fshehur krimin e përforcon edhe më shumë lidhjen e krimit me kryerësit e krimit. “Masakra e Pastaselit ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat nuk mund të injorohen dhe të cilat duhet të kthehen në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Ky është obligim i ne të gjallëve, për të vrarët, për drejtësinë, për ruajtjen e njerëzores dhe për historinë, sepse ajo që ka ndodhur një herë mund të ndodhë sërish, diku tjetër, por mbi shqiptarë. Sepse Serbia e pa penduar natyrisht që nuk ka ndryshuar qëndrim e qëllim", shtoi ai. Duke i përmendur dëshmitë e dëshmitarët, kryeministri Kurti theksoi se çfarë duhet të ndodhë tash është që këto dëshmi Prokuroria në Kosovë t’i kthejë në aktakuza. "Për mirëqenien e këtyre fëmijëve, për të ardhmen e Pastaselit ne do të përkushtohemi maksimalisht, pasi e dimë që shteti dhe liria ka rrënjët e saj në gjakun e martirëve e dëshmorëve të kombit tonë, nga Pastaseli dhe nga mbarë Kosova", tha ai.

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
309
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024