Rriten kërkesat për udhëtime në destinacione të reja pas liberalizimit të vizave
Turizem
Lexohet për: 2 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua

Ndonëse nga janari i këtij viti qytetarët e Kosovës po gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër vendet e zonës Schengen, të përbërë prej 27 vendesh evropiane, atyre u është hapur mundësia që të shëtisin në vende të ndryshme turistike.

Krahasuar me vitet paraprake, për vitin 2024, në agjencionet e fluturimeve, dukshëm janë rritur kërkesat për udhëtime. Ndërsa edhe kërkesat për destinacione të reja janë rritur jashtëzakonisht shumë.

Fidane Ymeri, menaxhere në “Fibula Travel”, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se kanë hyrë në treg destinacione të reja, pasi kërkesat e udhëtarëve pas liberalizimit të vizave për të eksploruar e vizituar vendet evropiane, ku në të kaluarën nuk kanë pasur mundësi t’i vizitojnë, janë të mëdha.

Ndërkaq për çmime të udhëtimeve thotë se janë të arsyeshme, pasi janë bërë edhe shumë kombinime të destinacioneve.

Kurse, destinacionet më të kërkuara sipas Ymerit, janë destinacionet për Evropë siç është Italia dhe Barcelona, si dhe Paris Disneyland, që janë tashmë më të frekuentuarat.

Sa i përket kërkesave për të vizituar vendet fqinje, Ymeri tha se Shqipëria ka kërkesa kryesisht për vikende, derisa Selaniku është më i kërkuari për momentin.

Ndryshe, përveç udhëtimeve turistike pas liberalizimit të vizave, në vazhdimësi është raportuar për emigrimin e qytetarëve nga Kosova.

Në fillim të këtij viti, instituti GAP përmes një ankete të realizuar me mbi 1 mijë qytetarë, ka thënë se në tremujorin e parë të vitit 2024, planifikohet që 28 për qind e qytetarëve të Kosovës, mbi moshën 18 vjeç të emigrojnë.

Ndërkaq, sektorët që pritet të preken më së shumti nga largimi i punonjësve janë ata të sektorit të ndërtimtarisë, hotelerisë dhe gastronomisë, me 18.7 për qind, pastaj ai i tregtisë dhe prodhimit./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024