Rafuna: Miliona euro të humbura nga sanksionet e BE-së, qeveria të koordinohet me aleatët
Biznes
Lexohet për: 2 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua

Masat e Bashkimit Evropian, rënia e eksporteve, zbehja e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë disa nga faktorët që kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në dëmtimin e ekonomisë së Kosovës. Kështu vlerëson kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Lulzim Rafuna, i cili i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të punojë në këtë drejtim, dhe të koordinohet me miqtë ndërkombëtarë për çdo vendim që merr, në të kundërtën vendi po humb miliona euro.

Rafuna konsideron se moskoordinimi me komunitetin ndërkombëtar lë gjurmë për vendin dhe dëmton imazhin e Kosovës.

Në anën tjetër, sfidë për vendin, Rafuna thotë se përveç projekteve kapitale të cilat janë paraparë me ligjin e buxhetit, është edhe pengesa shumë e madhe me pezullimin e projekteve, shuma e të cilave ka shkuar mbi 300 milionë, që kanë ardhë si rezultat i masave ndëshkuese që ka marrë Kosova.

Për t’i ndihmuar bizneseve, Rafuna thotë se si odë po punojnë që të sjellin sa më shumë tregje të huaja në vend. Ai thotë se për këtë, janë përqendruar edhe tek vendet arabe dhe me tregun e ShBA-ve. Nëpërmjet këtyre vizitave, ai thotë se po mundohen të përçojnë mesazh te investitorët që duan të investojnë këtu, që Kosova nuk është vend i luftës, por i paqes.

Ndërsa, sa i përket rënies së eksportit, Rafuna thotë se duhet të merren masa që të ndihmohet prodhimtaria. Ai kërkon nga institucionet përgjegjëse që të ngrisin zërin si në rajon, por edhe në tregun e BE-së, në mënyrë që produktet të depërtojnë sa më shumë.

Sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti i mallrave në muajin janar 2024, kishte vlerën 60.3 milionë euro, ndërsa importi 380.0 milionë euro, që është një rënie prej -3.0 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 7.4 për qind për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024