Vuçiq për dinarin: Serbisë po i kërkohet ta shesë bankën e kursimeve postare
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë të premten duke folur për dinarin e ndaluar në Kosovë, se Serbisë po i kërkohet t’ia “shesë” bankës Raiffeisen apo ndonjë banke tjetër, bankën serbe Kursimorja e Postës. Në një fjalim televiziv në Beograd, ai nuk dha hollësi të tjera rreth kësaj, por nguli këmbë se Serbia “nuk mund dhe nuk do të pranojë heqjen e dinarit” nga përdorimi në Kosovë. Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë. Serbët e Kosovës që nga paslufta kanë marrë pagesa në dinarë nga shteti serb edhe përmes degës së Kursimorës së Postës në Kosovë, e cila është njëra nga bankat më të mëdha serbe. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan dy herë në Bruksel këtë muaj për të diskutuar për çështjen e dinarit, por dallimet mes tyre vazhdojnë të jenë të mëdha dhe Bashkimi Evropian njoftoi për një takim të ri në prill. Kryenegociatori serb Petar Petkoviq tha këtë javë se pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimi i bankës së Serbisë në Kosovë, në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër. /REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024