Investime të mëdha dhe risi në sektorin e shëndetësisë në Pejë
Intervista
Lexohet për: 6 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Pas 15 vitesh, banorët e fshatit Bogë dhe të tjerë rreth Rugovës në Pejë do të bëhen me qendër të re shëndetësore. Ky investim u konsiderua i domosdoshëm edhe për shkak të frekuentimit të madh të turistëve në këto zona dhe vetë kërkesës së tyre.

Përveç kësaj, në Komunën e Pejës janë ndërtuar edhe dy Qendra të Mjekësisë Familjare, njëra në Vitomericë, e cila veçse është hapur dhe tjetra në Karagaq, që pritet të vihet në funksion brenda disa muajsh.

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Petrit Loci në një intervistë për KosovaPress, thotë se këto investime kapitale janë bërë me qëllim të shërbimit sa më të mirë ndaj pacientëve dhe ofrimit të kushteve për stafin shëndetësor.

"Projektet e mëdha janë dy ose tre vjeçare, tashmë kemi hapjen e objektit të ri në Karagaq, ndërsa duke vazhduar punimet në hapjen e një qendre të re shëndetësore në fshatin turistik Bogë të Rugovës, e cila është një zgjerim i shërbimeve tona, pasi që për më shumë se 15 vite, fshatrat e Rugovës nuk kanë pasur një stacion shëndetësor. Dhe tashmë e kemi rehabilituar një objekt komunal, i kemi bërë investimet e nevojshme dhe së shpejti do të hapet për funksion për të gjithë turistët që frekuentojnë në fshatrat e bukura të Rugovës. Pra, ka qenë një kërkesë sidomos e operatorëve ekonomik që shërbejnë hotelierë, por edhe turistëve, të cilët jo vetëm janë në numër të madh ditëve dimërore për skijim, por edhe gjatë verës ka në një  frekuencë të lartë të vizitorëve në këto fshatra. Besojë që gjatë një periudhe të shkurtër, do të vihet në funksion edhe qendra shëndetësore në Bogë të Rugovës...Ka qenë mungesa e banorëve rezidentë. Kjo ka qenë ndër arsyet që është ndërprerë funksionimi i më hershëm dhe me rritjen e numrit të turistëve, ka qenë e domosdoshme", thotë Loci.

Pas hapjes së Qendrës së Mjekësisë Familjare 600 metra katrorësh në Vitomericë, hapja e QMF-së tjetër në Karagaq planifikohet të bëhet në Ditën e Çlirimit të Pejës, më 16 qershor.

Sipas tij, qëllimi kryesor i këtyre investimeve është që Peja të ketë institucione të shëndetit primar, të përgjegjshme, të kohës dhe me parametra evropian, në mënyrë që t’i përgjigjen kërkesave të pacientëve dhe kushte të punës për stafit shëndetësorë.  

"Gjatë vitit 2023, kemi pasur investime në dy objekte shëndetësore të ndërtuara që nga fillimi, pra objekte të reja. Janë dy Qendra të Mjekësisë Familjare me sipërfaqe të mëdha, secila nga 600 metra katror. Njëra nga to vetëm është hapur dhe tanimë funksionon, bëhet fjalë për QMF-në në Vitomericë, e cila është në funksion që nga data 17 Shkurt dhe QMF-ja, numër tre në Karagaq, që është në zonën urbane, do të hapet në Ditën e Çlirimit të Pejës, më 16 qershor. Janë dy investime kapitale, janë dy Qendra të Mjekësisë Familjare të ndërtuara rishtas, të reja me të gjitha standardet e nevojshme, për t'iu përgjigjur qoftë stafit i cili do të shërbejë në këto qendra, por edhe pacientëve të cilët do të marrin shërbime. Qëllimi kryesor i investimeve ka qenë që të kemi institucione të shëndetit primar, të përgjegjshme, të kohës, me parametra evropian”, thekson Loci.

Përveç këtyre, Loci për KosovaPress, tregon se në ndërtim e sipër është edhe një objekt tjetër shëndetësor i cili do të shërbejë si bazë për shërbimin urgjent të qytetit të Pejës, si dhe do të jetë një qendër trajnuese për të gjithë stafin shëndetësor.

Ai potencon se në kudër të diagnostikës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, është funksionalizuar ultrazëri dhe rëntgeni, ku qytetarët mund të marrin shërbime brenda pesë ditëve të javës.

Ndër të tjera, Loci thekson se gjatë muajit të ardhshëm, në kuadër të një projekti, do të fillojnë shërbimet shëndetësore ndaj nxënësve të klasave të treta, të pesta dhe të nënta. Ato do të përfshijnë analiza të ndryshme, shërbime stomatologjike, oftalmologjike dhe ekzaminimet për fëmijët që kanë probleme me shtyllën kurrizore.

"Jemi duke e ndërtuar edhe një objekt tjetër shëndetësor, i cili do të shërbejë si bazë për urgjencën, për shërbimin urgjent të qytetit të Pejës, si dhe do të jetë një qendrën trajnuese për të gjithë stafin shëndetësor, ku do të kryhen trajnimet e nevojshme praktike në atë qendër që është jashtëzakonisht e madhe dhe moderne...Në kuadër të diagnostikës në QKMF, funksionojnë ultrazëri dhe kabineti i rentgenit të madh. Janë dy kabinete të cilat funksionojnë dhe u japin shërbime pacientëve të cilët kërkojnë tretman mjekësor në këto dy pjesë të diagnostikës...09:38 Gjatë muajit të ardhshëm, do të fillohet edhe me projektin për nxënësit e shkollave, për disa grupmosha, bëhet fjalë për nxënës të klasave të treta, të pesta dhe të nënta, ku do të bëhet depistimi, vizitat mjekësore për të gjithë nxënësit e këtyre shkollave, si dhe do të bëhen shërbime shëndetësore të ndryshme për ata nxënës që kanë nevojë. Do të kryhet shërbime diagnostike të analizave të ndryshme, shërbime stomatologjike të kujdesit oral, shërbime oftalmologjike dhe ekzaminimet për fëmijët që kanë probleme me shtyllën kurrizore", potencon Loci për KosovaPress.

Ndërkaq, nga 9 marsi i këtij viti, disa nga QMF-të e Pejës, kanë pranuar pacientë për vizita mjekësore edhe gjatë ditës së shtunë nga ora 7:00 deri në 19:00./Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024