Kurti përkujton aktoren Adriana Abdullahu
Kulturë
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar sot aktoren Adriana Abdullahu në 25-vjetorin e vrasjes së saj nga forcat serbe. Ai ka thënë se me vrasjen e Adriana Abdullahut ish-regjimi serb sulmoi artin dhe artistët e Kosovës. “Magjia e Adrianës jeton mes nesh dhe vazhdon të na frymëzojë. Adriana quhet “Engjëlli i Dodonës” e teatri i qytetit të saj, Ferizajt, quhet “Teatri Adriana”. Sepse një shpirt si ai i Adrianës nuk mund të shuhet. Atë nuk e bën dot koha, nuk e lejon shoqëria, nuk e mundëson vepra dhe përvoja e saj njerëzore. E nuk do ta lëmë as ne, si udhëheqje politike e Republikës së Kosovës,” tha Kurti.

Adriana Abdullahu njihet për talentin e rrallë në aktrim, për të cilën kryeministri Kurti tha se do të jenë model i rezistencës për jetë dhe liri në vendin tonë. “Kur e vranë, Adriana Abdullahu ishte 23-vjeҫare. Ishte një vit më e re se unë. Po të mos e vrisnin, Adriana do të ishte sot një vit më e re se unë. Mbrëmë isha në teatrin “Dodona”, dhe aty u dha një shfaqje e ciklit “Atmospheres” të Javës së Frankofonisë. Një shfaqje e shkëlqyeshme, magjepse “B+B=BB”, për figurën e Brigitte Bardot, teksa ajo eglendisej në situatat dhe veprat e historisë moderne të kulturës dhe artit francez. Shfaqjen franceze “B+B=BB”, sikur mos ta vrisnin para 25 viteve do të mund ta shikonte mbrëmë edhe Adriana Abdullahu. E vrasësi para 25 viteve nuk e ka shënjestruar Adrianën ashtu thjesht, vrasësi e ka urryer deri në vrasje një shqiptare që feston, një artiste premtuese. Nuk ka qëlluar mbi Adrianën, por ka qëlluar mbi rrethanën e saj shoqërore, mbi rrethinën e saj festive. Sikur të mos vritej Adriana para 25 viteve, do të ishin të panumërta shfaqjet ku ajo tashmë ka luajtur role e çmimet me të cilat tashmë është shpërblyer,” ka thënë Kurti.

Ai shtoi se gjeneratat e reja duhet të kenë mundësinë e njohjes së shembujve të mirë të dëshirës dhe dashurisë për të krijuar edhe në kohërat më të vështira. “Ky është mësimi më i madh që na jep Adriana. Ajo na rikujton që arti dhe kultura ndonëse zhvillohen në kohë, nuk varen prej kohës. Na kujton që arti dhe kultura janë thelbi i rezistencës së popujve të shtypur që duan dhe arrijnë lirinë. Institucionet e Kosovës po përkujdesen vazhdimisht për të siguruar që figurat tona të artit dhe kulturës të nderohen”, ka përfunduar Kurti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024