BQK tregon për efektet e luftës kundër dukurisë së parave të falsifikuara
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Falsifikimi i parasë është një ndër veprat më të vjetra kriminale dhe paraqet rrezik dhe brengë për të gjitha vendet pa përjashtim. Banka Qendrore e Kosovës njofton se me qëllim të ruajtjes së integritetit të parasë në qarkullim, lufta kundër kësaj dukurie është një aktivitet i përditshëm i të gjitha institucioneve përgjegjëse pa përjashtuar këtu edhe publikun e gjerë.

“Në fund të vitit 2023, Banka Qendrore e Kosovës ka koordinuar me sukses takime ndër-institucionale për të hartuar dhe zbatuar strategji efektive për luftimin e qarkullimit të monedhave të falsifikuara, veçanërisht monedhave 2 euro. Përmes masave të qarta dhe veprimeve të koordinuara, si heqja e tarifave për deponimin e monedhave, sigurimi i furnizimit të ekonomisë me monedha të reja përmes bankave komerciale dhe ndryshimet rregullative të transportit ndërkufitar të monedhave është arritur të tërhiqen nga qarkullimi sasi e konsiderueshme e monedhave të falsifikuara”, thuhet në njoftim.

Sipas BQK-së, konkretisht nga dhjetori 2023 deri në mars 2024, janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth dy milionë copë monedha të denominimeve prej 2 euro, monedha këto të deponuara nga bizneset dhe qytetarët në bankat komerciale.

“Po ashtu, BQK-ja dhe bankat komerciale kanë detektuar dhe parandaluar hyrjen në sistemin financiar, duke i tërhequr nga qarkullimi rreth 47 mijë e 168 copë monedha të denominimeve prej 2 euro, të dyshuara si të falsifikuara. BQK-ja ka furnizuar ekonominë e Kosovës përmes bankave komerciale me afër 6.75 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar. Ky angazhim ka kontribuar në zvogëlimin e qarkullimit të monedhave false, ka lehtësuar identifikimin dhe ka ngritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje”, thuhet në njoftim.

Për më tepër thuhet se në zbatim të masave rregullative, përmes Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, sa i përket rregullimit të transportit ndërkufitar të monedhave me qëllim të parandalimit të futjes së parave të falsifikuara, personat fizikë dhe personat juridikë që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi, pavarësisht që vlera e tyre është nën kufirin e deklarimit prej 10,000 (dhjetëmijë) euro.

“Gjithashtu, si rezultat i masave përkatëse, deri më tani numri i kartëmonedhave prej 500 (pesëqind) euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në BQK ka kaluar mbi 230,000 (dyqind e tridhjetë mijë) copë/njësi apo mbi 115 (njëqind e pesëmbëdhjetë) milionë euro. Ky veprim, përveç që ka ndikuar aspektin e reduktimit të rrezikut të parave të falsifikuara, ka kontribuar dhe ndihmuar në strategjinë përkatëse kundër informalitetit dhe dukurive të ndërlidhura”, thuhet në komunikatë.

BQK vazhdon të nxitë qytetarët dhe bizneset të deponojnë monedhat e tyre në bankat komerciale pa kosto dhe çdo dyshim për tentim të futjes në qarkullim të parave të falsifikuara nga falsifikatoret ta raportojnë tek autoritetet përgjegjëse. Po ashtu, bizneset nxiten që të furnizohen me monedha vetëm përmes bankave komerciale dhe te shmangin kanalet jozyrtare.

Prandaj, BQK ripërsërit qëndrimin dhe rekomandon që:

Të shmanget sa më shumë përdorimi i parasë së gatshme në blerje dhe të zëvendësohet me pagesa elektronike dhe kartelave bankare;

Të tregohet vëmendje e veçantë ndaj monedhave të pranuara;

Bankat dhe institucionet financiare jobankare të promovojnë pagesat elektronike dhe shtrijnë rrjetin e pajisjeve për pagesa me kartela bankare;

Bizneset të cilat pranojnë para të gatshme të shtojnë përpjekjet e tyre duke investuar në teknologjitë që bëjnë detektimin e parave të falsifikuara dhe lëvizin drejt reduktimit të parasë së gatshme si mjet pagese; dhe

Qytetarët në bazë të ligjit të raportojnë te autoritetet përgjegjëse (Policia e Kosovës) çdo dyshim për tentim të futjes në qarkullim të parave të falsifikuara nga falsifikatorët.

“BQK rikonfirmon angazhimin e saj të plotë për të mbështetur çdo përpjekje për të luftuar kundër parave të falsifikuara dhe nxit vazhdimin e masave parandaluese dhe edukative. Gjithashtu, shpreh mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që kanë kontribuar dhe ndihmuar në këto aktivitete të luftës ndaj këtij fenomeni, krahas institucioneve shtetërore përgjegjëse dhe bashkëpunuese në këto përpjekje, që me gjithë rezultatet pozitive, duhet te vazhdojnë dhe janë sfida të përhershme”, thuhet në raport.

Kush do ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?
VV
PDK
LDK
AAK-Nisma
Lista GUXO
Nuk e di
Voto
1,265
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024