KSHZ zyrtarizoi 7 kandidatë në garën për president të Maqedonisë së Veriut
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve zyrtarizoi sot kandidatët që do të garojnë për president të Maqedonisë së Veriut. Më 24 prill në fletën e votimit për kreun e shtetit do të jenë emrat e Stevo Pendarovskit, Gordana Siljanovska Davkovës, Arben Taravarit, Bujar Osmanit, Stevço Jakimovskit, Biljana Vankovskës dhe Maksim Dimitrievskit, shkruan Alsat. KSHZ-ja u dha dy ditë kandidatëve Taravari dhe Jakimovski për kompletimin e dokumentacionit.

“Konstatoj se lista e përfaqësuesve të autorizuar të parashtruesve të listave të kandidatëve për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut, listat janë konfirmuar njëzëri. Kandidatët Stevço Jakimovski dhe Arben Taravari, brenda 48 orëve duhet të dorëzojnë numër të vetëm tatimor dhe llogari transaksioni”, tha kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.

KSHZ njëzëri miratoi kërkesën për akreditime të vëzhguesve të procesit zgjedhor nga Misioni i OSBE-ODIHR-it. Shefja e ODIHR-it, Xhilian Stirk, njoftoi se do të përfshihen rreth 320 vëzhgues. “Numri i vëzhguesve është bazuar në rekomandimet për nevojat e misionit vlerësues. Keni dy lloj zgjedhjesh, kështu që nuk është e pazakontë që të kemi një numër të madh vëzhguesish dhe kërkojmë numër të madh vëzhguesish për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare”, tha Stirk. Ajo bëri të ditur se një nga detyrat që do të ketë në ditët në vijim është të kontrollojë nëse institucionet do të kenë kohë të mjaftueshme për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it nga ciklet e kaluara zgjedhore. Ndonëse janë përgatitur shumë kohë më parë, në Kuvend janë votuar vetëm dy javë më parë.

Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa i dyti, së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj. Këto zgjedhje vlerësohen si shumë të rëndësishme për të ardhmen evropiane të vendit, ndërsa shërbejnë edhe si test për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Bazuar në Kushtetutën aktuale, në rundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi kandidati duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore apo gjysmën e votave të 1.8 milion zgjedhësve. Në raundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton më shumë vota, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit. Fushata elektorale, e cila do të zgjasë 20 ditë, do të nisë më 4 prill.

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
142
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024