SHBA jep donacion për gjykatat e Kosovës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Ndihmës sekretari amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë nënshkruar sot një marrëveshje për pranimin e donacionit nga SHBA-ja përmes programit INL. Ky donacion, i cili u konsiderua si shumë i rëndësishëm, përshin instalimin e  pajisjeve të audiove dhe incizimeve në të gjitha gjykatat e Kosovës, për çka u tha se rrit transparencën e gjyqësorit, besimin e publikut, efikasitetin dhe njëkohësisht e ekonomizon procesin  gjyqësor.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj teksa shprehu falënderim për këtë donacion, tha se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe fenomeneve të tjera negative është preokupim i sistemit gjyqësor të Kosovës. Ai potencoi se një shoqëri demokratike nuk mund të zhvillohet pa një shtet ligjor dhe se ky i fundit nuk mund të funksionojë pa pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani vlerësoi se donacioni i sotëm është një ndër më të rëndësishmet për SHKK-në dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi. Sipas tij, ky donacion do të ndikojë në zvogëlimin e  nevojës për transport të personave nga gjykatat në burgje dhe anasjelltas, duke bërë që proceset gjyqësore të jenë më të sigurta dhe më eficiente. Dibrani potencoi se me ndihmën e qeverisë amerikane, sot Kosova është vendi i parë në Ballkan i cili ka formuar njësitin e inteligjencës.  Ai shtoi se me mbështetjen e INL-së  është arritur  që për herë të parë në Kosovës të themelohet institucioni për trajtimin e personave me nevoja të veçanta.

Me dhurimin e këtyre pajisjeve, regjistrimet audio dhe video i seancave gjyqësore i siguron një dokumentim të qartë dhe të plotë të gjithë procedurës që ndodhë gjatë seancës gjyqësore. Ndër të tjera, përmes këtij sistemi do të mundësohet mbajtja e seancave gjyqësore në distancë, duke siguruar që të gjitha palët pavarësisht vendndodhjes së tyre të kenë qasje të barabartë në drejtësi./Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024