Thesare rreth bazilikës së Ballshit, arkeologët bëjnë thirrje për gërmime
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Bazilika e Ballshit që daton nga shekulli i gjashtë nuk është objekti i vetëm historik në zonë. Arkeologët dhe specialistët e turizmit thonë se përreth saj mund të gjenden dëshmi të reja me vlerë. Bazilika paleokristiane e qytetit te Ballshit, është një ndër sitet më të rëndësishme në zonën e Mallakastrës. Ajo daton që nga shekulli i gjashtë, dhe interesi për të mësuar apo vizituar këtë objekt është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Specialistët e thonë se përreth bazilikës, mund të ketë dëshmi historike, andaj është e domosdoshme të gërmohet.

“Në radhë të parë na jep identitet neve si shqiptarë. Ajo që shohim është e kufizuar por ne mendojmë që mund të jetë gjysma e qytetit të Ballshit. Janë zbuluar disa objekte, uroj që të vijojë puna. Këtu mendohet që është bërë edhe pagëzimi i princit Boris dhe për këtë kemi mjaft vizitorë, jo vetëm nga vendet përreth por dhe nga Bullgaria. Nëse do bëhen punime dhe gërmime të reja besoj që do të zbulojmë shumë gjëra të reja,” tha specialisti i turizmit në bashkinë Mallakastër, Kreshnik Heqimaj.

Ndërkohë, për arkeologun, Bashkim Vreka, ky monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, nuk ka marrë vëmendjen e duhur dhe është lënë tërësisht në harresë. “Do ishte mirë që të trajtohej problemi edhe nga pikëpamja historike me çfarë kemi të bëjmë, por edhe nga pikëpamja arkeologjike duke gërmuar zonën përreth. Tjetër gjë është edhe fakti se në zonë është objekti më i rëndësishëm jo vetëm se u kurorëzua cari bullgar, por edhe për zbulimet që janë bërë këtu. Mund të restaurohet më mirë për të qenë i vizituar. Nuk është shumë i promovuar, por besoj se do t’i rriten edhe vlerat turistike”, tha Vrekaj.

Në rrënojat e bazilikës janë gjetur një sërë kolonash, mbishkrimesh dhe një skulpturë e pasur dekorative. Sipas gojëdhënës prej saj trashëgohen edhe kodikët e artë që njihen tashmë si kodikët e Beratit, ndërsa epitafi i Gllavenicës i vitit 1373 është i ekspozuar në muzeun historik kombëtar, si pëlhura më e vjetër e ruajtur në Shqipëri. /EuronewsAl

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024