Ismaili takon misionin e FMN-së për rishikimin e dytë të Marrëveshjes Stand-By
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, takoi sot misionin vizitues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të udhëhequr nga Sebastian Sosa – shef i Misionit dhe Përfaqësues rezident Rajonal për Kosovë dhe i shoqëruar nga ekipi i tij, për rishikimin e dytë të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Programit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF).

Siç njofton BQK, në takim u theksua bashkëpunimi ndërmjet BQK-së dhe FMN-së për të ngritur kapacitetet institucionale dhe për të zbatuar rekomandimet nga marrëveshjet, duke fuqizuar kështu stabilitetin makroekonomik dhe qëndrueshmërinë financiare.

“Duke shprehur mirënjohjen e tij për ndihmën teknike të ofruar nga Misioni i FMN-së për ngritjen e kapaciteteve institucionale në BQK, guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në avancimin e progresit institucional duke marrë parasysh sfidat me të cilat përballet ekonomia e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Diskutimet gjatë këtij takimi u përqendruan rreth perspektivës dhe projeksioneve makroekonomike për Kosovën, progresin e bërë në zbatimin e rekomandimeve të dala nga marrëveshjet e SBA-së dhe RSF-së, si dhe gjetjen e mundësive për asistenca të reja teknike.

Guvernatori Ismaili shpjegoi progresin e bërë në zbatimin e rekomandimeve, si dhe finalizimin e Projektligjit për Bankat. Gjithashtu, guvernatori i BQK-së theksoi zhvillimet e reja lidhur me perspektivën ekonomike dhe ndryshimin e kornizës ligjore.

“Misioni i FMN-së përshëndeti kompletimin e Bordit Ekzekutiv të BQK-së dhe përgëzoi BQK-në në progresin e bërë për fuqizimin e kornizave dhe kapaciteteve institucionale. Misioni përsëriti përkushtimin e tij për të mbështetur qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ky Mision do të qëndroj në Kosovë nga data 18 deri më 27 mars, gjatë së cilit ekipi i FMN-së do të angazhohet me ekzekutivin dhe personelin e BQK-së, për të vazhduar vlerësimet dhe diskutimet për forcimin e kapaciteteve dhe kornizës institucionale të BQK-së.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024