Kurti kujton ngjarjet e marsit: Egzoni, Avniu dhe Florenti i mungojnë familjes
Lajme
Lexohet për: 4 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Sot u bënë 20 vjet nga mbytja e tre fëmijëve në lumin Ibër në fshatin Çabër të Zubin Potokut. Katër fëmijë shqiptarë u ndoqën nga një grup i të rinjve të komunitetit serb. Për të shpëtuar nga sulmi, ata u hodhën në lumin Ibër, prej nga i gjallë doli vetëm Fitim Veseli. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo ndodhi në një kohë e kontekst me paqartësi për të ardhmen e vendit, pas luftës për të cilën plagët e kujtimet ishin ende shumë të gjalla teksa drejtësia për krimet, vuajtjet e dëmet e përjetuara nuk shihej asgjëkund.

“Lajmi për mbytjen në lum të Egzon Deliut, 13-vjeç, Avni Veselit, 12-vjeç, dhe Florent Veselit, 9-vjeç, u shpërnda rrufe dhe jehoi kobshëm në çdo cep të vendit. Protestat e qytetarëve në rrugë ishin përgjigjja e menjëhershme. Pa thirrje të organizuar e pa organizim në mbarëvajtje, ato shumë shpejt morën përmasa masive duke përfshirë gjithë Kosovën. E kur protesta është spontane e pa organizim, që ajo të jetë paqësore dhe e qetë duhet që secili pjesëmarrës të jetë paqësor e i qetë. Ndërsa për t’u bërë e dhunshme mjaftojnë vetëm një grusht i protestuesve të jenë të tillë. Dhe kështu ndodhi. Madje, fillimisht ato ishin të drejtuara kundër UNMIK-ut e, më pas, se kush i orientoi drejt vendbanimeve me serbë dhe kishave e manastireve ortodokse nuk u sqarua asnjëherë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Në Mitrovicë u vranë gjashtë qytetarë: Fatmir Abdullahu, Ferid Çitaku, Isak Ibrahimi, Ajvaz Shatrolli, Jana Tuçe (nga Maqedonia e Veriut) dhe Borivoje Spasojeviq. Në Lipjan tre: Nenad Vesiq, Nevzat Rrahmani dhe Arben Shala. Në Gjilan një: Sllobodan Periq. Në Bellopojë një: Esat Tahiraj, nga Novosella. Në Dajkoc dy: Dobrivoje Stolliq dhe Borko Stolliq. Në Çagllavicë tre: vëllezërit Bujar dhe Kastriot Elshani nga Drenasi dhe një person i paidentifikuar. E në Ferizaj një: Alimuhamet Murseli. Pra, nuk po i dimë emrat e katër të vrarëve nga gjithsej 20, e nëse konsideroni që ka pasaktësi në emrat ekzistues, ju lutem na e thoni”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka theksuar se qindra persona u plagosën, përfshirë këtu pjesëtarë të policisë vendore dhe asaj ndërkombëtare, qindra prona private e objekte të ndryshme u shkatërruan ose dëmtuan përfshirë edhe dhjetëra objekte kulturore dhe fetare, teksa hakmarrja dhe reagimi për ngjarjet e marsit u përcoll edhe në anën tjetër të kufirit, në Serbi, ku pati dhunë në Nish dhe Novi Sad, dhe në shënjestër ishin shqiptarët dhe grupet tjera të pakicave, ku edhe atje u shkaktuan dëme në prona private dhe objekte fetare e kulturore.

“Kosova nuk kishte përgatitjen institucionale që ka tani për të parandaluar apo depërshkallëzuar situatën. Vendi ishte nën administrim total ndërkombëtar. Policia e Kosovës që atëherë quhej Shërbimi Policor i Kosovës, përbëhej nga trupa që nuk ishin të pajisur për trazira të tilla. E megjithatë, disa pjesëtarë të Policisë treguan guxim duke rrezikuar jetën e tyre për të ndihmuar e mbrojtur serbë në shumë qytete dhe fshatra. Prej atëherë shumica e dëmeve materiale që atë kohë kishin marrë përparësi para humbjeve njerëzore, u rikuperuan. Objektet e kultit fetar ortodoks u rinovuan me para të taksapaguesve të Kosovës. Atyre sot u ofrohet mbrojtje e fizike e veçantë nga Policia e Kosovës. 20 vjet pas, i kujtojmë ato ngjarje, ndonëse me shumë të panjohura se si rrodhën, teksa ia rikujtojmë vete s se paqja dhe siguria nuk mund të merren të mirëqena. Ato janë më të vështira se dhuna, sepse duhet të mbahen, ruhen e mirëmbahen vazhdimisht. E ajo çka dimë është që Egzoni, Avniu dhe Florenti i mungojnë familjes, dhe të gjithë neve edhe sot, për çdo ditë”, ka përfunduar Kurti.

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
138
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024