Takimet virtuale të domosdoshme për bizneset në tërheqjen e klientëve
Biznes
Lexohet për: 5 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Metodë e suksesshme dhe e domosdoshme për të tërhequr klientët, zgjeruar bashkëpunimin me partnerë, rritur produktivitetin dhe efikasitetin e bizneseve, po vlerësohet të jenë takimet e zhvilluara online.

Përparësitë e një takimi online në mes biznesit dhe klientit, janë mundësia e qasjes globale, efikasiteti i kostos, kursimi i kohës, fleksibiliteti dhe komoditeti që ofrojnë, avantazhe këto të cilat japin hapësirë për komunikim në kohë reale, ndarjen e ideve dhe nxitjen e një kulture inovacioni.

Kështu u tha sot në trajnimin e mbajtur në kuadër të projektit “Mbështetja për gratë në zhvillimin e bizneseve te tyre”. Fokusi kryesor në këtë trajnim ishin këshillat ofruar grave se si mbajtja e takimeve online, u mundëson atyre të tërheqin sa më shumë klientë, t’i hapin vetës mundësi të reja për plasimin e produkteve dhe të bëhen konkurrente sa më të forta në treg.   

Në kuadër të këtij projekti, i cili zbatohet nga organizata joqeveritare ‘Qendra për Inovacione dhe Zhvillim’, dhe financohet nga Agjencia Sllovake për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar “SlovakAid”, shumë gra morën instruksione nga më të ndryshmet në mënyrë që biznesi i tyre “të lulëzojë”, në këtë kohë ku konkurrenca çdo herë e më shumë po rritet.

Trajnerja e këtij projekti, Linda Baleta tha se komunikimi efektiv, i qartë, i thjeshtë dhe i saktë, janë ndër pikat kryesore që një takim online duhet të përmbajë. Baleta si të rëndësishëm potencoi përdorimin e duhur të teknologjisë për zhvillimin e takimeve online me klientë apo partnerë.

“Qasje globale: Takimet virtuale thyejnë barrierat gjeografike, duke na lejuar të lidhemi me klientët dhe partnerët kudo në botë. Kjo qasje u mundëson bizneseve të zgjerojnë shtrirjen e tyre, të hyjnë në tregje të reja dhe të nxisin bashkëpunime ndërkombëtare pa kufizimet e distancës fizike. Efikasiteti i kostos: Takimet tradicionale ballë për ballë shpesh vijnë me shpenzime të mëdha që lidhen me udhëtimin, akomodimin dhe marrjen me qira të vendtakimit. Ndërsa takimet virtuale reduktojnë ndjeshëm këto kosto, duke e bërë më të realizueshme për bizneset e të gjitha madhësive që të angazhohen me klientët dhe palët e interesuara pa munduar buxhetet e tyre. Kursimi i kohës: Me takimet virtuale, nuk ka nevojë të merresh me kohën e udhëtimit ose logjistikën. Takimet mund të planifikohen me një njoftim të shkurtër, duke minimizuar vonesat dhe duke përshpejtuar proceset e vendimmarrjes, gjë që është thelbësore në mjedisin e sotëm dinamik dhe me ritme të shpejta të biznesit”, tha Baleta.  

Përveç këtyre, Baleta potencoi se ndër komponentët e takimeve online janë teknologjia, komunikimi dhe angazhimi. Ajo shtoi se ndër platformat më të përdorura për zhvillimin e takimeve online janë: Zoom Microsoft Teams, Google Meet, rrjetet sociale duke përfshirë Instagram, Viber, Whatsapp të tjera, të cilat  mundësojnë takime spontane, në kohë reale me klientë apo partnerët. Po ashtu, Baleta theksoi se në kohën e sotme digjitale, takimet online janë të domosdoshme në mënyrë që gratë në biznes të jenë më produktive, sa më afër klientëve dhe bashkëpunimit me partnerë.

“Takimet virtuale janë takime duke përdorur internetin dhe teknologjitë e ndryshme të komunikimit. Ato mund të realizohen si video konferencë ose audio. Synimi është ta bëjnë më të lehtë takimin, bashkëpunimin dhe vendimmarrjen. Në kohën e sotme digjitale, takimet online janë të domosdoshme në mënyrë që të jeni sa më produktiv, sa më afër klientëve dhe bashkëpunimit me partnerë. Ndër komponentët e takimeve online janë teknologjia, komunikimi dhe angazhimi. Të zgjidhni teknologjinë e duhur që iu përshtatet që të siguroni komunikim pa probleme. Ndër platformat më të përdorura, kemi Zoom Microsoft Teams, Google Meet, por mund të shfrytëzohen fare mirë rrjetet sociale, mjetet e komunikimit instant si Viber, Ëhatsapp. Këto mënyra mundësojnë takime spontane në kohë reale me klientë apo partnerët. Komunikimi efektiv, i qartë, i thjeshtë dhe i saktë janë ndër pikat kryesore që një takim online duhet të përmbajë”, theksoi  Baleta.

Ndër të tjera, Baleta tha se përgatitja e duhur është çelësi për një përvojë produktive në takim. Ajo shtoi se përgatitja e objektivave dhe agjendave të qarta, shënimi paraprak i temave që do të trajtohen, ndikojnë po ashtu në zhvillimin e një takimi virtual produktiv dhe të suksesshëm.

Përgatitja e materialeve të nevojshme, mjedisit, konfigurimi teknik, veshja e duhur, mënyra e të folurit dhe paraqitja, janë komponentë të tjerë që përbëjnë një takim virtual efektiv. Cikli i trajnimeve do të vazhdojë edhe tutje me gratë në fushën e biznesit nga e gjithë Kosova, në të cilët do të ketë informacione dhe këshilla edhe më të detajuara sa i përket bërjes sa më të mirë të biznesit.

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
138
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024