Ujëvara e Sllapit në Selcë, mes peizazhit baritor të fshatrave të Shkodrës
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Ujëvara e Sllapit në Selcë të Malësisë së Madhe është një nga shtigjet tërheqëse për hiking në Alpet e Shqipërisë, ku peizazhi magjepsës dhe baritor i fshatrave të Shkodrës të mbush shpirtin me gëzim. Pranvera në këto shtigje është një përrallë e vërtetë në Alpe.

Këtë gëzim sjell për publikun edhe fotoja e realizuar nga Bleron Çaka, një nga fituesit e Konkursit Ndërkombëtar të Fotove dhe Videove Reels “Ëanderlust in Albania”.

Fotoja e bën të pamundur të mos tërhiqesh nga përvoja që të dhuron kjo ujëvarë, ndërsa rruga deri atje kalon mes peizazhesh që pranvera u dhuron magji.

Fshati Selcë është një nga fshatrat që nuk duhet lënë pa vizituar në zonë. Ndodhet 8 km në anën veriore të qendrës së komunës së Kelmendit. Kjo zonë njihet për një natyrë të pasur e që rrethohet nga majat e larta. Fshati përshkohet nga kanioni i Gerrlës, i cili është krijuar nga rrjedhat e fuqishme të lumit Cem, duke i dhuruar një bukuri mahnitëse zonës, shkrun ATSh, transmeton KosovaPress.

Ndër atraksionet që fton çdo vit shumë turistë është edhe ujëvara e Selcës ose siç e njohin banorët ujëvara e Sllapit. Për të arritur në destinacion, duhen rreth 2 orë ecje mes shtigjesh malore interesante, peizazheve shumë të bukura, si edhe shpellave të shumta.

Ujëvara fillon me një burim të fuqishëm që del nga një e çarë shkëmbi e cila është  formuar prej vitesh dhe rrëzohet nga një lartësi afro 30 m, duke i dhuruar zonës një ndër perlat natyrore në tokë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024