Në vazhdën e takimeve të sotme në NATO, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka mbajtur një takim me shtetet aleate në NATO të grupit të QUINT-it, i cili përbëhet nga përfaqësuesja e përhershme në NATO e SHBA-ve, ambasadorja Julianne Smith, ai i Mbretërisë se Bashkuar, ambasadori David Quarrey CMG, e Gjermanisë, Dr. Géza Andreas von Geyr, i Italisë Marco Peronaci dhe e Francës, ambasadorja Muriel Domenach.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit me Grupin e KUINT-it, i përbërë nga vende që në të njejtën kohë janë aleatë dhe anëtarë të NATO-s, OECD dhe G7/G20 iu kushtua vëmendje kryesore procesit te përparimit dhe thellimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me selinë e NATO-s dhe integrimeve euroatlantike të Kosovës.
Ministrja Gërvalla theksoi po ashtu se vizita e sotme në NATO është e një rëndësie të dyfishtë, pasi që ndodhemi në prag të shënimit të 25-vjetorit të Intervenimit Humanitar Ushtarak të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës.
“Që nga ajo periudhë Kosova ka bërë hapa gjigant duke përqafuar vlerat euroatlantik, duke u rreshtuar krah aleatëve të saj për të kontribuar edhe më tej si ofruese e sigurisë ne botë dhe duke bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për anëtarësim në NATO dhe mekanizma të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë”, citohet Gërvalla në komunikatë.