Mijëra mjekë gjerman lënë punën për shkak të pagave të ulëta
Bota
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Mijëra mjekë gjermanë në spitalet universitare u larguan nga puna të hënën për të kërkuar rritje të pagave dhe përmirësime të kushteve të tyre të punës. Sindikata Marburger Bund, e cila përfaqëson mjekët, tha se largimet u organizuan në disa qytete, duke përfshirë Aachen, Bonn, Këln, Dusseldorf, Heidelberg dhe Mynih.

Gjatë grevave, shumica e spitaleve universitare ofronin vetëm kujdes urgjent dhe shërbime minimale, ndërsa mijëra mjekë u bashkuan në takime në qendrat e qyteteve për të tërhequr vëmendjen ndaj shqetësimeve të tyre.

Për shkak të grevës paralajmëruese, pacientët me siguri do të duhet të durojnë kohët më të gjata të pritjes dhe shtyrjen e operacioneve jourgjente në ditët në vijim, tha sindikata në një deklaratë.

Andreas Botzlar, nënkryetar i sindikatës së mjekëve, kritikoi autoritetet për shpërfilljen e problemeve në spitalet universitare dhe dështimin për të ndërmarrë hapat e nevojshëm.

Ai nënvizoi se shtetet dhe autoritetet federale duhet të bëjnë "përmirësime thelbësore" në pagat dhe kushtet e punës së mjekëve, në mënyrë që të parandalojnë kolapsin e spitaleve universitare.

Sindikata kërkon një rritje 12.5% të pagave për rreth 20.000 mjekë në spitalet universitare, si dhe tarifa më të larta për punën gjatë natës, fundjavave dhe festave publike. Mjekët po kërkojnë gjithashtu ndryshime në turnet e gjata.

Sindikata thotë se paga e mjekëve që punojnë në spitalet universitare është shumë më e ulët se kolegët e tyre në spitalet komunale, edhe pse ata duhet të punojnë me turne më intensive./AA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024