Mijëra protestues u mblodhën sot në qendër të Madridit për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit socialist Pedro Sanchez lidhur me një projektligj të propozuar për amnisti për katalanasit që organizuan një referendum të ndaluar të pavarësisë në vitin 2017.
Partia e Punëtorëve Socialiste Spanjolle (PSOE) e Sanchez ka rënë dakord me partitë Së bashku për Katalonjën (JxCAT) dhe të Majtën Republikane Katalanase (ERC) për ligjin, të cilin parlamenti pritet ta miratojë të enjten.
Protesta u mbështet nga partitë më të mëdha opozitare të krahut të djathtë, Partia Popullore (PP) dhe Vox.
“Jo në emrin tim. Asnjë amnisti, pa vetëvendosje”, shkruhej në pankarta ndërsa protestuesit valëvitnin flamujt kuq e verdhë të Spanjës.
“Sanchez iu përkul nacionalizmit (katalan)”, tha Dolors Montserrat, një eurodeputete e PP-së gjatë protestës dhe njoftoi se opozita do të vazhdojë me protesta.
Ligji i amnistisë do të pezullonte të gjitha procedurat kundër disa qindra katalanasve, të cilët shtatë vjet më parë u përpoqën të krijonin një shtet të pavarur me 7.5 milionë banorë në verilindje përmes një referendumi.
Ish-kryeministri katalanas Carles Puigdemont, i cili ka qenë në mërgim në Belgjikë që nga referendumi i vitit 2017, mund të kthehet në Katalonjë në qershor dhe synon të kandidojë në zgjedhjet evropiane atë muaj.
Spanja deri më tani i ka kërkuar Belgjikës pa sukses ekstradimin e tyre dhe një amnisti do të tërhiqte kërkesën e gjykatës së Madridit për arrestimin dhe gjykimin e tij. /AA