Ismaili takon ambasadorin suedez, flasin për rregulloren e BQK-së, PayPal-in e Kartonin e Gjelbër
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili në takim me ambasadorin e Suedisë në vendin tonë, Jonas Westerlund, kanw diskutuar pwr rregulloren e BQK-së, sfidat dhe mundësitë e mbështetjes për anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër për automjete, si dhe nevoja për të gjetur mundësitë për listimin e Republikës së Kosovës në platformat botërore të pagesave (PayPal, Apple Pay, Google Pay) dhe Kodin ISO, për të cilën u kërkua mbështetja edhe nga shteti suedez.

Guvernatori Ismaili në fillim të takimit e ka njoftuar Ambasadorin Westerlund lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, zhvillimet makroekonomike, perspektivën, objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA dhe Sistemin Evropian të Pagesave të Shpejta (TIPS).

Me këtë rast, Guvernatori Ismaili falënderoi Ambasadorin Westerlund për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së tij dhe popullit suedez për institucionet dhe popullin e Republikës së Kosovës.

“Në takim u diskutua edhe për progresin drejt digjitalizimit dhe bashkëpunimin potencial në këtë fushë me institucionet suedeze, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Suedisë. Po ashtu u diskutua lidhur me avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për Bankat, Ligjin për Shërbimin e Pagesave dhe ligje tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktiva të BE-së”, thuhet në komunikatë.

Ambasadori Ëesterlund është njoftuar dhe për kompletimin e Bordit Ekzekutiv të BQK-së, si dhe veprimet për kompletimin e Strukturës Organizative të BQK-së, e miratuar në fund të vitit të kaluar.

“Guvernatori Ismaili e informoi Ambasadorin Westerlund mbi Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj. U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së, si dhe ajo nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro, nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhet nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se në këtë aspekt, ambasadori Ëesterlund u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore.

“Në fund, u konstatua se do të ketë shkëmbime të mëtutjeshme të informacionit me qëllim të bashkëpunimit të mundshëm ndërmjet BQK-së dhe institucioneve suedeze në fushat e interesit të përbashkët”, thuhet në njoftim.

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
375
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024