Begaj: Sulmi terrorist në veri tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më.

Kështu ka thënë presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në cermoninë e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, ku tha se rijetësimi i kësja baze ajrore shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit dhe të gjithë rajonit tonë.

Kreu i Shtetit i shprehu mirënjohjen të gjithë aleatëve në NATO, veçanërisht partnerit strategjik, SHBA-së, për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik.

Sipas Presidentit, “Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar. NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për Aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës”.

Po ashtu, Begaj nënvizoi se “për Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, ky është një investim strategjik në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur ndër vite”.

Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, Kreu i Shtetit theksoi se “ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit”.

Ndaj, sipas tij, “baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s, për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024