City mposhti United pas kthesës, Foden heroi i fitores së madhe
Sport
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Në derbin e xhiros së 27-të të kampionatit anglez të futbollit, Manchester City mposhti me përmbysje rivalin e qytetit Manchester United me rezultat 3:1, duke iu afruar me një pikë pas liderit Liverpool.

Heroi i fitores së kampionëve aktualë të Evropës dhe Anglisë ishte Phil Foden (56, 81), dhe Erling Haaland (90+2), ndërsa Marcus Rashford (8) shënoi për mysafirët.

Filloi tronditëse për Cityn, Marcus Rashford gjuajti nën traversë nga më shumë se 20 metra në minutën e tetë për 1:0. Ishte një kundërvënie e madhe për United. Portieri Andre Onana i dërgoi një top të gjatë Bruno Fernandes, i cili pasoi te Rashford që shënoi për epërsinë e mysafirëve.

Në vazhdim të pjesës së parë, City kishte dominim absolut, 74 për qind posedim të topit, 18 gjuajtje, 12 këndore, por nuk arritën të tundnin rrjetën. Rastin më të mirë për të barazuar kishte Erling Haaland, i cili humbi të pamundurën nga disa metra në minutën e 45-të. “Qytetarët” arritën të barazojnë në minutën e 56-të me një gol po aq të bukur të Phil Foden, i cili shënoi nga buza e zonës së rreptësisë për 1:1.

Skuadra vendase vazhdoi presionin dhe qytetarët me meritë e kthyen rezultatin në minutën e 81-të me një tjetër gol të Foden. Ishte një veprim i bukur me të cilin De Bruyne, Alvarez dhe Foden luajtën në mbrojtje të United dhe mesfushori brilant 23-vjeçar shënoi për 2:1.

Të gjitha dyshimet për çështjen e fituesit u zgjidhën në minutën e dytë të pushimeve. Rodri “i vodhi” topin Sofyan Amrabat, “punësoi” Haaland, i cili këtë herë nuk gaboi.

Se sa dominante ishte skuadra e Pep Guardiolës ndaj rivalit të qytetit, pasqyrohet në shifra. Gjatë ndeshjes, City kishte 74 për qind të posedimit të topit, lojtarët vendas dërguan deri në 27 goditje, ndërsa United vetëm dy, kishte edhe 15 këndore, ndërsa kundërshtari dy.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024